Tirana kundër Rangers
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ata janë dy klubet më të titulluar në vendet respektive. Nuk kanë luajtur asnjëherë kundër njëri-tjetrit dhe duhet të sfilitesh për të gjetur ndonjë element të përbashkët.
Një prej tyre u regjistrua fundjavën e kaluar. Rangers siguroi rikthimin në Premier Ligën skoceze pas katër vitesh të errëta në kategoritë inferiore, duke pasur mbështetjen e më shumë se 45 mijë tifozëve, një përqindje e lartë e të cilëve nuk ka ngurruar ta ndjekë skuadrën edhe kur luante në kategorinë e katërt.
Ndërkohë që në Tiranë, tifozët bardheblu mund të numëroheshin me gishta, madje prej tyre nuk mungoi as edhe një mesazh, si zakonisht në një mënyrë të gjetur, për arsyet e mungesës së tyre. Krahasimet çalojnë gjithmonë, por duke i vendosur në peshore, problematikat e ngjashme që kalojnë të dy klubet, duke i parë të dyja situatat me qetësi dhe të pandikuar, me siguri mund të ketë vend për reflektim.
Protesta, një standard i ruajtur Në vitet e tranzicionit shqiptar, mund të jenë me mijëra protestat e zhvilluara, me qindra arsyet e tyre, por shumë të pakta ato që janë të motivuara sportivisht. Ndër to ka tërhequr vëmendjen e opinionit reagimi publik i një pjese të tifozëve bardheblu.
Në një moment të caktuar, ndërhyrja e tyre mund të ketë qenë vendimtare, që "kompetentët" të zgjohen dhe të marrin vendimet e duhura, që në një përqindje të caktuar i mundësuan Tiranës qëndrimin në Superiore, pasi në të kundërt mund të kishte fatin e Rangers.
E njëjta logjikë vlen edhe për ditët e sotme, në të cilat një pjesë e tifozërisë ka zgjedhur të protestojë për rezultatet, pozicionin në tabelën e renditjes dhe mënyrën se si po administrohet klubi. Veçanërisht, mosmbajtja e premtimit nga ana e presidentit për fitimin e titullit kampion është valëvitur si flamur në protestë. Një zgjedhje e lirë dhe e përligjur, por gjithsesi shumë "shqiptare" për të qenë e drejtë.
Skaner sezonit bardheblu Ai nisi sërish me premtime të mëdha. Me sakrifica të mëdha. Me trajner fitues. Me futbollistë ekspertë. Me tifozët në krahë. Por të gjitha këto nuk mjaftuan. Në objektivin për t'i shkuar deri në fund titullit kampion. Arsyet si gjithmonë janë të shumta dhe meritojnë të merren në analizë, por me siguri një prej tyre ishte pikërisht ai premtim.
Në një fillimsezoni, ku u shpenzua shumë për të ribërë skuadrën, kur po përmbyllej investimi më i rëndësishëm i dekadave të fundit, kur po paguheshin borxhet e reja dhe të vjetra, ai premtim mund të ishte kursyer, pasi për Tiranën dhe çdo skuadër objektivi kryesor duhet të jetë ndërtimi i një infrastrukture të përshtatshme dhe në këtë pikë meriton të vlerësohet një administratë e aftë, për momentin nuk e ka, një planifikim financiar, nuk besoj se e ka bërë ndonjëherë dhe një projekt sportiv, që kërkon njerëz kompetentë dhe të përkushtuar.
Roli i lojtarit të 12-të Në sezonin e mbijetesës, roli i tyre ka qenë vendimtar. Të shumtë, entuziastë, të veçantë, krijues dhe frymëzues. Ky profil do të duhej të ishte fillesa e një projekti afatgjatë, por përgjegjësia e kësaj fuqie të madhe është shpërdoruar, duke e përçarë dhe minimizuar rolin e tyre, atë të lojtarit të 12-të.
Mesazhi i sjellë me dron në "Selman Stërmasi", sipas të cilit "Borxhi më i madh është ndaj tifozëve", mund të konsiderohet gjetje dhe një tjetër ngacmim për t'i përmirësuar gjërat. Megjithatë nga kjo tifozëri ka pasur mesazhe shumë më tepër kritik, ngacmues, por qëndrestarë. "Ktu vetëm për Tironën" në këtë situatë do të merrte shumë më tepër kuptim, sepse siç të gjithë e dinë një klub futbolli, cilido qoftë ai, nuk bëhet thjesht dhe vetëm nga xhepi i presidentit.
Për të pasur një skuadër kompetitive, apo thjesht edhe të pangjashme me çdo tjetër, duhet edhe kontributi i çdo tifozi. Në këtë pikë vlen një thënie e famshme e presidentit Kennedy: "ask not what your country can do for you, ask what you can do for your country", që e shqipëruar në këtë rast do të përkthehej, "mos pyesni çfarë mund të bëjë klubi për ju, por çfarë mund të bëni ju për klubin".
Dhe në një stadium më në fund të rikonstruktuar, të pastër, të ndriçuar ka vend për gjithsecilin, që e rregullon axhendën për të qenë prezent, për ta paguar një biletë 200-lekëshe, për ta mbështetur skuadrën qoftë edhe duke valëvitur banderolën "Ktu vetëm për Tironën". Dhe të tillë, siç është vërtetuar, mund të jenë me mijëra.
Dhe e gjitha kjo sepse futbolli ynë, përfshirë edhe rolin e tifozëve, është në kërkim të një identiteti, të një modeli. Se si ndërtohet një klub nevojitet vizion, se si duhet të sillen tifozët, parapëlqej ata të Rangers, që mbështetnin skuadrën, pavarësisht se luante në kategoritë inferiore, apo në mënyrë të veçantë ata të Liverpul dhe Dortmund, që pavarësisht mungesës së trofeve, janë gjithmonë në stadium duke kënduar: "You'll Never Walk Alone"
Kur të ecësh përmes një stuhie,
mbaje kokën lart dhe mos ki frikë nga errësira
Në fund të stuhisë, ka një qiell të artë
dhe një këngë të ëmbël laureshe.
Ec përmes erës,
ec përmes shiut,
edhe pse ëndrrat
mund të të flaken tutje,
me shpresë në zemër,
s'do të ecësh kurrë vetëm!
Kjo këngë, në kushtet ku gjendet futbolli ynë, me siguri vlen
për çdo klub, për çdo tifozëri, sepse vetëm në këtë mënyrë
ditë të mira pas kësaj vijnë...
