e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shehri: Rreziku i boxheve u shmang, titulli shkon në Korçë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shehri: Rreziku i boxheve u shmang, titulli shkon në Korçë

Saimir-Shehri-658x370Nga borxhet e deri te dënimi i tij, Sajmir Shehri bën një rrëfim total të situatës së Tiranës. Drejtori i përgjithshëm, në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", sqaron lëvizjet e fundit në klub, raportin me bashkinë, si dhe largimin e brazilianit Uillian. Nuk heziton që të komentojë edhe objektivat, ndërsa e pranon që për llogaritë e bardhebluve do të ishte mirë që Kupa të fitohej nga Kukësi.

Është shmangur presioni i FIFA-s me shlyerjen e disa borxheve, sa e çliruar ndihet Tirana?

Ishim të detyruar që t'i mbyllnim pagesat brenda datës 31 mars, për shkak të kushteve të "fair play"-it financiar të UEFAs. Ky ishte si ultimatum jonominativ. Por atij ekipi që kishte borxhe të pashlyera deri në fundin e marsit i hiqej e drejta të luante në Kupat e Europës. Ky është një ligj dhe ne, duke pasur parasysh këtë "deadline", ishim të detyruar të paguanim.

A ka më çështje që mund të ushtrojnë presion në të ardhmen?

Nuk ka çështje akute. I mbyllëm borxhet e mbartura nga e shkuara dhe fondi ishte goxha i lartë. Të mos harrojmë që klubi nën drejtimin e z.Halili brenda një viti e gjysmë ka paguar rreth 400 mijë euro.

Janë shlyer afro 400 mijë euro, por në total sa kanë mbetur pa u paguar?

Nuk mund të them një shifër të saktë. Por çështja më kryesore është ajo e Kastratit. Po negociohet dhe shpresojmë që ta zgjidhim me mirëkuptim. S'ka një ultimatum dhe do t'i jepet zgjidhje.

Bashkia çfarë roli ka momentalisht te Tirana?

Sikundër dihet, është aksionere me 34 për qind të aksioneve. Na ka premtuar se do të japë kontributet e veta dhe kam besim se do të rimbursojë debitet që janë krijuar gjatë kohës që vetë Bashkia ishte në krye të klubit. Pak rëndësi ka kush ka qenë në krye, pasi ato i mbeten institucionit.

Deri më tani a ka dhënë ndonjë shumë parash?

Ka disa procedura, ende nuk ka nisur që të implementohet buxheti.

Ka ndonjë fond për Tiranën?

Ka për sportin në përgjithësi me vendim të Këshillit Bashkiak, është një shumë e konsiderueshme prej afro 800 milionë lekë (të vjetër) për këtë vit. Të shohim pastaj sa do të ndahet dhe sa i mbetet futbollit.

Tashmë kryeqyteti ka një impiant modern, a ka një shifër konkrete se sa është investuar në këtë stadium?

Bilanci i investimit është në përfundim e sipër. Së shpejti do të dalim edhe me një shifër konkrete. Por është e lartë dhe kjo shihet vetë, s'ka nevojë për komente. Mirëpo, problem i pazgjidhur është fasada. Bashkia është në proces gjyqësor me bizneset në fjalë dhe pa u marrë vendimi nuk mund të veprohet.

Një mangësi mund të quhet mungesa e sektorit të mediave?

Duhet të keni parasysh diçka, që borxhet janë në shifra astronomike. Investimet janë të mëdha në të gjitha drejtimet dhe ca gjëra të vogla mund të na falen.

Tifozët mungojnë prej javësh në stadium, pse ka ardhur kjo krisje?

Tifozët e Tiranës i konsideroj adrenalinë dhe pjesë e gjakut të këtij klubi, janë të pazëvendësueshëm. Kanë qenë dhe do të mbeten. Unë kam bindjen që kjo krisje do të hidhet pas krahëve.

Mos ka ndikuar humbja e fundit në derbi?

Askush nuk e dëshiron humbjen në derbi, është e dhimbshme. Por futbolli ky është. Kemi fituar në 20 vjet rresht, kanë fituar ata 4 ndeshje. Po do rikthehet prapë historia në favorin tonë.

Ish-administratori Tagani ka nisur një gjyq kundër Tiranës. Si e komentoni?

Është paradoksale në fakt, pasi ka ardhur një shkresë dhe kërkon 23 paga nga klubi. Ndërkohë, vetë e vendosën dhe vetë e shkarkuan. Kjo është një histori e dhimbshme, e thënë ndryshe "bjeri t'i biem".

Të kthehemi pak te merkatoja, shumë largime brenda një sezoni...

Ne besonim se ata do të bënin diferencën, por nuk u përshtaten me ekipin. Por tashmë kemi bërë kontrata të atilla që shmangim penalitetet.

Rasti i fundit është ai i Uillianit, si u procedua me të?

Për paraqitje të dobët mund të zgjidhej kontrata. Pa asnjë penalitet dhe këtë klauzolë zbatuam. Do t'i japim dhe çka i takojnë brenda afatit dhe rregullave. Por kur ai nuk ka bindur dhe s'ka luajtur asnjë. minutë, nuk mund ta mbanim dhe të shtohej kostoja, pasi siç dihet rrogat janë të larta.

E gjithë kjo situatë do t'i shërbejë Tiranës si mësim për sezonin tjetër që të shmangë edhe këto blerje të dështuara?

Njeriu duke punuar, mëson.

Sa e mundshme është Europa, kur dihet që në garë jeni me Kukësin dhe Teutën?

Jam i bindur që ne do t'ia dalim. Pa dashur që të hedh poshtë forcën e rivalëve, por tek e fundit secili sheh punën e vet.

Duke bërë llogaritë e Tiranës, a ia uroni Kukësit Kupën?

Pse jo, por dua të sqaroj se askush nga ne nuk pret nga këmbët e tjerëve. Ne do t'ia dalim vetë. Tani që na kompletohet edhe grupi, gjithçka do të jetë më e lehtë edhe për ne. Pasi kjo periudhë e luhatjeve erdhi pikërisht prej mungesave të mëdha. Dhe jemi të bindur që rimëkëmbemi dhe do të kapim vendin e tretë, pse jo edhe të dytin nëse matematika mund ta na e lejojë.

Te Partizani mbeteni sërish...

Unë shpreha një mendim për një simbol që ata vendosën. Këtë të drejtë e kam, derisa nuk ofendoj askënd. Nuk është institucionale. Keni thënë se ata do të mbeten edhe tri dekada pa trofe.

Tani që janë +6 larg kreut, si e shihni çështjen "titull"?

I qëndroj asaj deklarate, por jo me inate dhe mllefe. Por vështirë që Skënderbeu të humbasë dhe Partizani të rimarrë kreun. Megjithatë, nëse bëhet luftë e pastër sportive le të fitojë më i miri. Por, me logjikë them se është e vështirë që ta zbresësh Skënderbeun nga froni.

Po Tirana kur do t'i kthehet titullit?

Shpresoj që vitin tjetër. Ne u nisëm që këtë vit, por objektivat ndryshuan rrugës prej problemeve. Por gjithçka vjen gradualisht, kur rrezikonim rënien dolëm në vend të 6-të, më pas në të 4-in, tani do kapim të 3-in ose të 2-in, vitin tjetër titullin.

Për dy vite do qëndroni larg tribunave, si po e përjetoni dënimin?

Larg tribunës VIP. Pasi për ta sqaruar, unë e kam parë Tiranën që 6 vjeç. Jam tifoz i vjetër familjarisht. Ai portieri atje (tregon ndërkohë foton e Tiranës së viteve '30) me kasketë është xhaxhai im. Portieri i parë i sport klub Tiranës, Abdulla Shehri. Pra, kemi kontribute sportive, veç administrative. Tirana është pjesë e jetës sime, krahas jetës politike. Pra, nuk është dramë që nuk jam te VIP-i, pasi gjithë jetën kam qenë te tifozët.