Lojtarët ankohen për tifozët: Skemi qetësi prej ofendimeve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Futbollistët ankohen tek administratori për tifozët. "Panorama Sport", nga burime konfidenciale pranë klubit, ka arritur të zbardhë bisedën që Sinan Idrizi ka zhvilluar me "senatorët" kuqezinj.
Pas ndeshjes me Kukësin, kreu i klubit ka kontaktuar në linjë telefonike kapitenin Bruno Telushi, si dhe disa lojtarë të tjerë, ku është interesuar më shumë për ngjarjen e ndodhur se sa për ecurinë e takimit dhe humbjen.
Por lojtarët që ka kontaktuar i janë ankuar Idrizit për tifozët. Një gjë të tillë në fakt e shprehu pas ndeshjes edhe vetë kapiteni Telushi. Gjatë bisedës me administratorin, futbollistët i kanë thënë se gjatë gjithë ndeshjes kanë qenë nën trysninë e tifozëve, ndaj nuk kanë dalë në lojën e tyre dhe janë rënduar psikologjikisht.
Sipas futbollistëve, sharjet dhe ofendimet e tifozëve bën që ekipi të humbiste qetësinë. "Na kanë sharë tifozët. Gjatë gjithë ndeshjes kemi qenë në trysni, humbëm qetësinë pasi nga tribunat na vinin ofendime pa fund. U shpërbëmë dhe nuk dolëm në lojën tonë. Ishim të rënduar psikologjikisht nga kjo situatë, ndaj edhe humbëm", mësohet se janë shprehur futbollistët.
Administratori - Por, administratori Sinan Idrizi ka kthyer pas çdo fjalë të lojtarëve. Ai u ka mbyllur gojën lojtarëve, duke u thënë ta shikojnë te vetja problemin dhe jo te tifozët.
"Nuk keni punë me tifozët ju. Ata vijnë në stadium si mbështetje për ju, t'iu ndjekin dhe të marrin kënaqësi, si dhe do të shajnë kur nuk ecin gjërat. Nuk duhet të justifikoheni. Le të shajnë, ju shikoni punën tuaj. Pastaj kot nuk shajnë. Shikohuni në pasqyrë kur nuk shkojnë gjërat", u ka thënë Idrizi "senatorëve".
Testi - Dy ndeshjet e radhës me Partizanin për kampionat dhe me Kukësin për Kupë janë vendimtare. Burimet pranë klubit bëjnë me dije për "Panorama Sport" se e ardhmja e trajnerit Ramadani dhe e stafit teknik do të varet nga këto dy ndeshje.
Nëse në këto dy sfida nuk ka reagim pozitiv nga ekipi, do të lëkundet ndjeshëm pankina e Ramadanit. Por të rrezikuar janë edhe lojtarët. Shumica prej tyre rrezikon të largohet në fund të sezonit dhe t'u ndërpritet kontrata, nëse do të vijojnë zhgënjimet.