Tirana ben detyren me Lacin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana i është kthyer fitoreve në Superiore, pas tri javëve radhazi pa sukses, që kishin ndalur disi ritmin e skuadrës së Maganit. Ndonëse me një paraqitje jo mes atyre më të mirave të shfaqura nga kjo skuadër në muajt e fundit, bardheblutë kanë arritur të marrin tri pikë ndaj një prej ekipeve më të mira të këtij sezoni, Laçit, duke kaluar përkohësisht Vllazninë në renditje, për t’u pozicionuar jashtë zonës së ftohtë të klasifikimit.
Në takimin e luajtur në “Qemal Stafa”, në praninë e një numri të konsiderueshëm tifozësh, që përveç mbështetjes të skuadrave respektive nuk kanë ngurruar të lëshojnë koret e zakonshme fyese ndaj kundërshtarëve, bardheblutë gjetën shumë shpejt rrjetën. Pas një goditjeje nga këndi, Kahata me kokë devijoi saktësisht në portën e Bakajt, për të kaluar në avantazh vendasit. Reagimi i Laçit la për të dëshiruar, pasi tentativat e kurbinasve ndaleshin lehtësisht nga prapavija e Tiranës. Nga ana tjetër, Ndikumana kishte një mundësi të mirë për të dyfishuar shifrat në fundin e kësaj pjese, por gjuajtja e tij u devijua nga portieri i laçianëve, që shpëtoi portën nga një gol i sigurt.
Në pjesën e dytë, Laçi u shfaq më agresiv në fushë, duke tentuar të zhvendoste lojën në gjysmëfushën e bardhebluve, forca goditëse e të cilëve ra ndjeshëm pas dëmtimeve të Xhilberto e Deliç që shtynë Maganin të bënte dy zëvendësime të detyruara. Megjithatë, Lika nuk kishte shumë punë për të bërë për të mbrojtur katërkëndorin e tij. Takimi u vulos në minutën e 87-të, kur një gabim në mesfushë i Laçit solli edhe golin e dytë të vendasve me autor Morinën.
Ky sukses e ngjit Tiranën në vendin e 8-të, me pikë të barabarta me Flamurtarin, duke lënë 2 pikë pas Vllazninë, rivalin me të cilin duelon në distancë për mbijetesën në Superiore. Gjithsesi, trajneri Magani është shfaqur i pakënaqur në përfundim të kësaj sfide, duke e cilësuar këtë paraqitje si nën nivel dhe duke u bërë thirrje lojtarëve që të përqendroheshin në javët e mbetura, të cilat i vlerësoi si finale.
“Gjatë kësaj jave, pas derbit, kishte një presion për arritjen e rezultatit në këtë sfidë, e ndoshta kjo është arsyeja se pse nuk kemi luajtur mirë, pavarësisht se fituam. Me përjashtim të Morinës, jam i pakënaqur edhe me ndërrimet e tjera që bëra, pasi nuk rezultuan të suksesshme, sepse zhvilluam një pjesë të dytë të dobët. E gjithë kjo situatë do të analizohet gjatë javës”, paralajmëroi Magani.
Sipas trajnerit të bardhebluve, pavarësisht vlerave të kësaj fitoreje, Tirana duhet të përqendrohet maksimalisht dhe të mos bëjë gabime të tilla në të ardhmen, si ato në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Laçit. “Fituam ndaj një skuadre që luan mirë me topin, ka lojtarë që luajnë bashkë prej shumë kohësh. Pavarësisht lojës, e kemi merituar fitoren. Por nuk duhet të qetësohemi, nuk ka si ta bëjmë një gjë të tillë. Çdo ndeshje është finale për ne, derisa të mbarojë kampionati jemi nën trysni. Pas atyre rezultateve pozitive radhazi, ishim në euforinë e rezultatit, sepse deri atëherë cilësoheshim pa shpresë për mbijetesën. Por tani jemi nën trysni dhe na kërkohet rezultati”, deklaroi Magani në përfundim të këtij takimi.