e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tirana/ Daja në hall, stërvitje pa një formacion

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana/ Daja në hall, stërvitje pa një formacion

Vetëm 16 futbollistë nën "armë" dhe pjesa dërrmuese e tyre ishin të rinj. Ka qenë kjo panorama e seancës së djeshme stërvitore te Tirana.

Untitled-3Mungonin jo pak, por 11 futbollistë. Kjo e detyroi Ilir Dajën që ta plotësonte kontingjentin duke marrë produkte nga akademia.

Dëmtimet pa dyshim janë kthyer në një "gangrenë" për bardheblutë, e megjithatë listës së mungesave u shtohen të grumbulluarit me Kombëtaret, por edhe ata me leje.

Duke bërë "apelin", një formacion i plotë nuk u stërvit dje. Gentjan Muça, Dejan Karan dhe Olsi Teqja vazhdojnë të jenë të padisponueshëm dhe gjasat janë që të mos ia dalin as për ndeshjen e parë të fazës së katërt.

Me Tërbunin nuk është gati as Dorian Kërçiku, i cili, përveç pezullimit prej kartonëve, dje ka kryer vetëm vrap të lehtë, pasi vazhdon të ketë probleme me kaviljen.

Ashtu si mbrojtësi, të diferencuar kanë vijuar edhe Masato Fukui, Enriko Papa dhe Argjend Malaj. Ndërsa për Elis Bakajn situata ndryshon.

Ai po përgatitet i diferencuar, por me një program të posaçëm për të rritur parametrat fizikë, duke e trajtuar këtë periudhë si një minifazë.

Sikundër dihet, i angazhuar me Kombëtaren është Ervin Bulku, i cili edhe këtë herë është shfaqur në seancat e përfaqësues kuqezi si anëtar i stafit të De Biazit. Ndërsa me Shpresat është grumbulluar mbrojtësi i linjës së majtë, Erjon Hoxhallari, dhe pritet që javën tjetër të rikthehet te Tirana.

I vetmi që ka marrë leje të gjatë është Ronald Gërçaliu, i cili të hënën do të rikthehet nga Austria, ku ndodhet prej disa ditësh. Duke parë këtë "bilanc" në apel, Ilir Daja i gëzohet faktit që pauza ka ardhur pikërisht në këto momente.

ADELA MERKO