Agolli: Ska vend për eufori, Austria na prezanton Europianin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mbrojtësi i Karabakut në Azerbajxhanin e largët dhe njëherësh i Kombëtares është konciz dhe i qartë në atë që duhet të bëjnë kuqezinjtë për të ruajtur ritmin e shfaqur në eliminatore.
Në një rrëfim për "Panorama Sport", Ansi Agolli është i bindur se lojtarët kanë humorin e duhur jo vetëm për miqësoret, por mbi të gjitha edhe për ndeshjet në Europian.
"Jemi mjaft optimistë dhe morali është shumë i lartë pas kualifikimit. Te skuadra jonë nuk ka vend për eufori, pasi ne nuk jemi një ekip i madh siç është Franca.
Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë rrugën drejt Europianit. Këtu nis puna e lënë në Armeni", është shprehur fillimisht mbrojtësi.
Në lidhje me dy takimet miqësore, Agolli ka besim se skuadra është e gatshme për të përballuar me sukses edhe skuadra të nivelit të lartë siç është Austria.
"Austria është një nga ekipet pjesëmarrëse në Francë dhe është cilësor e me një nivel të lartë. Besoj se do të jetë një nga testet më të mira përpara se të shkojmë në Francë, duke ditur që skuadrat me të cilat do përballemi do të jenë të së njëjtës shkallë vështirësie me të.
Por, gjithashtu edhe Luksemburgu e ka ngritur mjaft nivelin e futbollit dhe kam besim se do të jenë të dyja teste shumë të vlefshme për ne", ka shtuar futbollisti që në kampionatin azer është "abonuar" me titullin kampion.
"Është një punë shumë e mirë e skuadrës që nuk ka nisur këtë muaj apo as këtë sezon. Është një projekt i nisur prej vitesh dhe ne po marrim frytet e një pune të gjatë, të lodhshme dhe të vazhdueshme", përfundon Agolli.