Përgatitjet te Partizani, rikthehet Mazrekaj
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndërprerja e kampi onatit u kanë dhënë mundësi të kuqve të kryeqytetit të pushojnë për disa ditë, pasi pas fitores me Teutën skuadra vetëm dje ka kryer seancën e parë stërvitore.
Gjatë ditës së djeshme u vu re se jo të gjithë pjesëtarët e skuadrës i kanë përfunduar pushimet, pasi disa prej tyre kishin përfituar një ditë më shumë.
Përveç Alban Hoxhës, Jurgen Bardhit dhe Realdo Filit, të grumbulluar me ekipet kombëtare trajneri Agostineli nuk ka pasur në dispozicion edhe dyshen sulmuese Stevan Raçiç-Xhevahir Sukaj, si dhe mesfushorin Filipe Gomes, të cilët kanë munguar me leje.
Gjithashtu, dje nuk ka qenë i pranishëm në stërvitje edhe trajneri i portierëve Mario Kapeçe. Por sot pritet që grupi të plotësohet, me përjashtim të tre lojtarëve që janë të grumbulluar me ekipet kombëtare.
Mazrekaj
Emri i mesfushorit Mentor Mazrekaj ka kohë që lakohet në kampin e kuq, pasi pjesa e dytë e sezonit ka nisur keq për 27-vjeçarin.
Kosovari ka munguar në seancat e fundit stërvitore dhe për mospraninë e tij dolën në qarkullim disa versione.
Drejtori Dervishi sqaroi para ndeshjes me Teutën se lojtarit i është dhënë leje që të shkojë pranë familjes në Kosovë, meqë ishte i dëmtuar dhe të bëhet gati për një kontroll më të imtësishëm në Itali. Ndonëse situata e lojtarit e ka brenda misterin, dje Mazrekaj është rikthyer te Partizani, por sërish me statusin e javëve të fundit, i dëmtuar.
Dje mesfushori është përgatitur i diferencuar, ku ka kryer vetëm vrapime rreth fushës. Tani mbetet për të parë se si do të procedohet me lojtarin, do të vijojë terapinë riaftësuese në Tiranë, apo do të dërgohet për kontroll dhe mjekim më të specializuar në Itali.
Përgatitjet për fazën e katërt nuk kanë nisur mbarë për të kuqtë, pasi edhe mbrojtësi Sodiq Atanda nuk është përgatitur me grupin.
Mbrojtësi nigerian dje ka ndjekur të njëjtin program stërvitor me Mazrekajn, pasi ka pësuar një tërheqje të lehtë në këmbën e majtë.
ILIR CARA