Tifozët të zhgënjyer, bojkotojnë Lushnjën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lushnjarët e kanë ni sur në mënyrën më të keqe të mundshme fazën e tretë të kampionatit duke humbur 2-1 në "Roza Haxhiu" ndaj Dinamos.
Kjo ishte humbja e tretë e verdhejeshilëve në shtëpi për këtë sezon. Edhe pas kësaj disfate, Lushnja ka mbetur në vendin e katërt dhe në këtë post mendohet ta mbyllë sezonin duke parë shifrat.
Çështja
Por, në të vërtetë ky sezon praktikisht është mbyllur për verdhejeshilët, të cilët edhe matematikisht nuk kanë më asnjë shans për t'u ngjitur në Superiore. Gjithashtu, nuk rrezikojnë asgjë edhe nga vendet e poshtme. Kështu që synimi i vetëm që ka mbetur është që ta mbyllë kampionatin në vendin e katërt. Por, një çështje që shqetëson shumë në Lushnjë është ajo e tifozëve.
Ky sezon do të mbahet mend edhe për braktisjen që i kanë bërë sportdashësit skuadrës në "Roza Haxhiu". Që nga fillimi i këtij sezoni, në shtëpinë e futbollit verdhejeshil, shifrat mesatare të tifozëve në një ndeshje kanë qenë 200-300.
Edhe këta tifozë vijnë në mënyrë automatike dhe nuk është se ndiejnë ndonjë emocion apo përjetojnë ndonjë gjë. Kjo shihet qartë në ndeshje ku mungon atmosfera. Gjithashtu, nuk bëhet më fjalë për tifogrupe, të cilat deri sezonin e kaluar krijonin një atmosferë spektakolare në mbështetje të skuadrës, sidomos në sfidën e fundit ndaj Bylisit.
Atmosfera sportive në qytetin myzeqar ka rënë dukshëm dhe interesi mbetet gjithnjë i ulët. Edhe një lajmërim i vendosur në qendër të qytetit ku tifozët mësojnë emrin e skuadrës udhëtuese, ditën dhe orarin e ndeshjes nuk ka funksionuar në asnjë javë të këtij sezoni duke pritur kohën që Lushnja t'i rikthehet Superiores. Siç shihet edhe në foto, lajmërimi i përket dy sezoneve më parë kur verdhejeshilët ishin në elitë.
Tashmë, për Lushnjën ka mbetur kujtesa për vitet e shkuara. Mbetet për t'u parë se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm me këtë ekip që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Aktualisht, klubi është nën administrimin e Bashkisë së Lushnjës që zotëron 100% të aksioneve.
Përgatiti: ALBAN ALUSHI