e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Djarmati: Në fund të sezonit do ta lë futbollin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Djarmati: Në fund të sezonit do ta lë futbollin
djarmati

Djarmati me shoket e ekipit dhe trajneri Plori.

Matko Djarmati nuk e kishte menduar kurrsesi kur shkeli për herë të parë në Shqipëri më 2009-ën se do të luante për shtatë vite në kampionatin shqiptar, do të krijonte familjen e tij këtu dhe, për më tepër, do të pajisej edhe me pasaportë shqiptare. matko djarmatiËshtë historia e shkurtër e një lojtari kroat, i cili pas shtatë vitesh futboll në Shqipëri, ka menduar të tërhiqet nga fusha e blertë në fund të sezonit.

Nga Skënderbeu te Kastrioti, Besa, Dinamo, Tërbuni dhe së fundmi rikthim te krutanët, mesfushori 34- vjeçar po mendon që t'i "varë këpucët në gozhdë" në fund të kampionatit.

Vendimi

"Personalisht, jam shumë i kënaqur me çdo minutë që kam luajtur te Kastrioti. Mendoj se këto do të jenë minutat e fundit në karrierën time si lojtar. Nuk është se e kam vendosur 100%, por jam shumë pranë këtij vendimi për t'u tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur. Besoj se me ngjitjen në Superiore të Kastriotit, edhe unë do t'i jap fund karrierës si lojtar për t'iu përkushtuar më pas trajningut", shprehet mesfushori kroat në prononcimin e tij.

Skuadra

Në lidhje me ecurinë e skuadrës deri tani dhe fitoren e fundit me Mamurrasin, Djarmati vazhdon: "Sfida me Mamurrasin ishte shumë e vështirë, pasi ata u mbyllën në mbrojtje dhe na e vështirësuan rrugën. Nuk e kuptoj se si ky ekip ndodhet në vendin e fundit, pasi në tri përballjet që ne kemi pasur me të, kemi fituar me mjaft vështirësi. Të jesh në vend të parë ka shumë presion dhe ndaj ne nuk arritëm të dilnim në lojën tonë. Megjithatë, kampionati është i gjatë dhe do të ketë dhe shumë ndeshje të tjera delikate si kjo. Tashmë do të fokusohemi te sfida me Adën ku do të kërkojmë fitoren. Në këtë fazë të kampionatit nuk ka vend për gabime, pasi ato mund të kushtojnë", përfundon Djarmati.

Përgatiti: LIRIDON PASHA