e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tifozët nuk falin as Zotin e Europianit!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tifozët nuk falin as Zotin e Europianit!

sinematiNga GËZIM SINEMATI

Tifozët nuk falin as "perën ditë", sidomos kur ata dyshojnë se dashuria dhe pasioni i tyre për lojën nuk konvertohet në moral nga zyrtarët e futbollit. Atë mbrëmje, të skuqur nga Partizani, kur klubi festonte 70-vjetorin, ish-presidenti Papadhopulli u ka dhënë një asist tifozëve të "demave", kur me përkëdheli dhe me një fllad servilizmi iu drejtua presidentit aktual, Armand Duka.

Tifozët kanë vërshëllyer shefin e madh të futbollit, aq sa kuptoi se nuk ishte njeriu i përshtatshëm për të dhënë dhe dekoratën speciale për klubin. Një gjest i tillë i "demave" shkaktoi habi dhe frikë te zyrtarët që e shoqëronin, kurse në sytë e tyre lexohej mjaft lehtë pyetja:

"Ky është njeriu që bëri golin e madh të Europianit, ndërsa ju kërkoni qiqra në hell"? Edhe atë ditë madhështie, kur mijëra tifozë përshëndetën Kombëtaren pas "magjisë" në Armeni, sapo u shfaq presidenti në tribunë, tifozët e dërguan përsëri në gijotinë njeriun fuqiplotë.

Lind pyetja: Mosmirënjohje apo Europiani nuk mund të përdoret si maskë për mëkatet që kanë bërë? Edhe pse pushteti popullor nuk është aq i madh sa ai i zotave të lojës, thirrja e tyre s'mund të injorohet. Tifozi i sotëm ndihet i tradhtuar në krahasim me tifozin e atëhershëm, ngaqë vetëm në fund të ndeshjes mund të mësojë misterin e rezultatit. Ata që dinë ta lexojnë fundin e filxhanit kuqezi, besojnë se edhe në Europian do të ketë një befasi.

Për mirë apo për keq, kjo nuk dihet. Ata që dinë më shumë se ajo që duket në fushë, thumbojnë se De Biazi do të çimentohet në mbrojtje, kurse presidenti i tij do të luajë në sulm. Filozofia e tij e kundërshton atë të trajnerit: ai kërkon të shënojë, qoftë edhe jashtë fushe, kurse italiani ka hallin që të mos pësojë, të mos cenohet emri që ka krijuar nga fluturimi i shqipes... në tokën franceze.

Një katapultim kaq dehës, sa askush nuk trembet që shumica e futbollistëve tanë kanë puthur stolin në klubet e tyre, porse kur veshin fanellën kuqezi... na duken sikur kanë fuqinë e supermenit.