Tifozët kthehen në stadium, por protesta do të vazhdojë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kur kanë kaluar 35 ditë që nga nisja e bojkotit, grupi i tifozëve "Tirona Fanatics" do të rikthehet në stadium. Këtë e kanë bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi në "Facebook", ku dje në mbrëmje kanë njoftuar se të shtunën do të udhëtojnë drejt Ballshit.
"Në fundjavë udhëtojmë drejt Ballshit. Detajet do të dalin në ditët në vazhdim", ka qenë njoftimi i tyre. Ndërkohë nuk saktësohet nëse ky është pajtim me klubin, apo protesta e tyre do të spostohet brenda impiantit. Që prej datës 8 mars, "Fanatics & CO" nuk janë futur më në stadium. Megjithatë, në një formë apo në një tjetër, prezenca e tyre është ndier, pasi protestat kanë qenë të vazhdueshme, si jashtë stadiumit, ashtu edhe nga ajri.
Gazeta është munduar që të zbardhë kërkesat e tyre, por edhe nën zë një pjesë e mirë e tifozëve sqarojnë se gjithçka do ta zgjidhin brenda "shtëpisë". Ata e konsiderojnë veten ende si një familje dhe gjithë kësaj situate duan që t'i japin drejtim pa bërë zhurmë mediatike. Ndërsa të tjerë sqarojnë se tashmë pretendimet e tyre i kanë bërë të qarta me parullat e shpalosura, që nuk kanë munguar në asnjë prej ndeshjeve të luajtura në shtëpi.
Zyrtarisht, ende nuk është zhvilluar një takim kokë më kokë, pra mes drejtuesve të klubit dhe tifozëve, megjithatë pritet që në vazhdim të ketë një pasqyrim më konkret të kësaj situate. Mjafton të shohësh banderolat e shpalosura javë pas jave dhe e kupton se ata janë kundër drejtuesve për premtimet e pambajtura, kundër mercenarëve, sikundër quajnë një pjesë të futbollistëve dhe kundër bashkisë, si bashkëpronare e klubit. Më 9 mars, kur Tirana luante me Flamurtarin (dhe u eliminua nga Kupa), me moton "Afër Tironës, larg mashtrimeve", ata kanë shpalosur edhe një sërë pankartash, ku nuk mungonte as ironia drejtuar kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Por tifozët nuk kishin harruar që të vendosnin edhe dy banera brenda stadiumit, ku binte në sy një kundër presidentit Refik Halili, ku i rikujtonin edhe një herë faktin që ka premtuar titullin, ndryshe do të largohej nga drejtimi.
"I bone gati çelësat" apo "Ne lindim gladiatora, sot katandis me kllouna". Rrugëtimi vazhdoi edhe në Tirana-Kukësi (1-1), ku, veç tymuesve që u hodhën brenda stadiumit, hapën edhe pankartën ku thuhej: "Dritat që keni ndezur, nuk mund të ndriçojnë errësirën ku jeni fut". Edhe një javë më pas (Tirana-Tërbuni 3- 0) vijuan me misionin.
Teksa Elis Bakaj shënonte golin e tretë, në qiellin e "Selman Stërmasi"-t erdhi një dron ku shkruhej: "Borxhi më i madh ndaj tifozëve". Mesazhi i fundit nuk mungoi as të dielën (në Tirana-Laçi 1-0), ku jashtë stadiumit ishte shpalosur banderola: "Ju nuk boheni si Ben Minga, ndrroni zanat, bohuni balerina". Ka zëra që rikthimi mund të përkojë me derbin, megjithatë mungojnë edhe 3 javë nga ajo ndeshje, ndaj gjithçka mund të ndodhë.