Fejzullahu, në Turqi për 250 mijë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në përfundim të këtij sezoni fut bollistik, Arbnor Fejzullahu me shumë mundësi nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Partizanit.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili ka bërë një paraqitje të shkëlqyer me të kuqtë, ka bindur drejtuesit e skuadrës turke të Gaziantepsporit, që kanë bërë edhe ofertën e tyre përfundimtare. Rreth dy javë më parë është përfolur për një shumë 280 mijë euro, por Partizani ka kërkuar rreth 300 mijë.
Por, për një gjë të tillë nuk kanë rënë dakord përfaqësuesit turq, të cilët kanë bërë ofertën përfundimtare që është 250 mijë euro. Burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë konfirmuar për "Panorama Sport" se ndeshja e fundit që lojtari ka qenë nën vëzhgim ishte pikërisht ajo ndaj Flamurtarit dhe menjëherë pas saj ka ardhur edhe oferta finale.
Për momentin nuk bëhet me dije se sa do të përfitojë vetë futbollisti nga kjo lëvizje, pasi në këtë drejtim pritet që ai t'i bëjë bisedimet me përfaqësuesin e tij. Fejzullahu luan sezonin e tij të dytë me të kuqtë dhe zërat për një largim të tij jashtë vendit kanë qenë prezente edhe gjatë merkatos së janarit. Vendimi Vendimin final për kartonin e lojtarit që është në pronësi të klubit pritet ta marrë presidenti Demi.
Ky i fundit ka në tavolinë ofertën për futbollistin dhe, në rast se jep miratimin, do të bëhet edhe zyrtarizimi. Gjatë merkatos së verës, Fejzullahu ka qenë drejt largimit nga të kuqtë, por ishte pikërisht numri një i Partizanit që e ndaloi për një gjë të tillë duke i rinovuar edhe kontratën. Por, në këtë rast presidenti pritet të mos e ndalojë lojtarin, duke qenë se në mes janë edhe politikat e klubit. Në mes mund të hyjë edhe dëshira e vet Fejzullahut, i cili me sa duket pret që të provojë një aventurë jashtë vendit. Përpara se të bëhej pjesë e Partizanit, mbrojtësi ka luajtur te skuadra e Besës së Kavajës.