Tifozët, gjyq drejtuesve para finales me Teutën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kukësi ndeshet për herë të pestë me Teutën këtë sezon. Por ajo e sotmja është në vazhdën e ndeshjes së dytë çerekfinale për llogari të Kupës së Shqipërisë.
Ky takim shikohet si shpëtimi i sezonit deri më tani, pasi nënkampionët e Shqipërisë në fuqi kanë dështuar 3 nga katër herët në përballje me durrsakët këtë sezon.
Mbas ndeshjes së të shtunës për kampionat, tani gara është e hapur dhe në Kupë. Takimi i parë është fituar me rezultatin 1-0 në Durrës nga djemtë e Maganit dhe verilindorëve u duhet të fitojnë me 2 gola diferencë që të kualifikohen. Për këtë takim, i gjithë klubi i Kukësit dhe stafi janë shpërngulur në Kukës.
Axhenda
Skuadra udhë- toi drejt qytetit verilindor në orën 10:00 të mëngjesit të djeshëm. Më pas, futbollistët dhe stafi teknik janë akomoduar në njërin nga hotelet në qendër të Kukësit. Mbas drekës së konsumuar të gjithë së bashku, skuadra ka nisur stërvitjen në fushën e stadiumit "Zeqir Ymeri".
Mobilizimi ka qenë mjaft i madh për këtë takim, pasi lojtarët janë përshëndetur me disa grupe tifozësh, të cilët kanë kërkuar një mbledhje me drejtorin e përgjithshëm të Kukësit, z.Ekrem Spahia, por dhe me stafin e klubit. Mbledhja është zhvilluar në zyrën e presidentit Gjici në ambientet e stadiumit.
Tifozët kanë pasur disa kërkesa për drejtuesit dhe kanë kërkuar llogari për gjendjen e skuadrës, e cila ka çaluar shumë këtë sezon.
Mbas kërkesave të tifozëve për drejtuesit, kanë qenë këta të fundit që u kanë drejtuar disa kërkesa tifozëve. Gazeta zbardh të gjithë dinamikën e bisedave dhe kërkesave.
Tifozët
- Mbështetësit i kanë uruar punë të mbarë drejtorit Spahia dhe kanë nisur me ato çfarë ata i shqetëson:
- Ecuria e Kukësit duhet të jetë më e mirë, pasi këtë vit ekipi ka pasur shumë uljengritje dhe të gjithë duhet të punojnë për të arritur objektivat.
- Klubi t'i mbështesë më shumë tifozët, jo vetëm në shkallët e stadiumit në Kukës, por në të gjithë Shqipërinë. Kjo, duke u vendosur në dispozicion transport falas për të mundësuar udhëtimin me qëllim që ekipi të ketë mbështetjen e tyre në transferta.
- Hyrjen falas në ndeshjen me Teutën, me qëllim që të ketë një masë sa më të madhe tifozësh në stadium.
- Vënien në dijeni të tifozëve për vendimmarrjet e rëndësishme që klubi merr.
- Mbështetjen më të madhe të lojtarëve kuksianë në ekip. Nga ana tjetër, kanë qenë edhe drejtuesit e klubit që kanë parashtruar disa kërkesa në drejtim të tifozëve, mes të cilave u kanë kujtuar gjithashtu edhe eliminimin me Legian e Varshavës në Europa Ligë.
Kërkesat e drejtuesve të klubit për tifozët:
- Pjesëmarrje sa më e madhe për të mbështetur skuadrën në ndeshjen delikate të Kupës së Shqipërisë me Teutën.
- Mbështetje sa më të madhe për skuadrën edhe në transferta.
- Krijimin e një atmosfere feste në stadium, larg dhunës dhe larg sharjeve e fyerjeve.
- Mosdëmtimin e stadiumit dhe ambienteve të tij, sidomos thyerjes së stolave.
-Të ndalohet në mënyrë kategorike hedhja e sendeve në fushë, pasi ndikojnë negativisht te klubi, duke u dënuar fusha dhe duke iu vendosur gjoba të majme. U kujtua gjoba e majme prej 70 mijë eurosh në stadiumin "Qemal Stafa" dhe humbja në tavolinë 0-3 me Legian e Varshavës në eliminatoret e Europa Ligës.
- Bashkim të grupeve të tifozëve dhe mbështetjen njëzëri të skuadrës. Mbas negociatave për kërkesat e palëve u mbyll në paqe kjo mbledhje. Z.Spahia, mbas konsultës në telefon me presidentin Gjici, tha se klubi i pranon ta gjitha kërkesat e tifozëve, ndërsa dhe tifozët e kthyen me të njëjtën monedhë dhe i pranuan vendimet e klubit.
Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI