Salihi në stol, flet trajneri Josa: Vuajmë me shkodranët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pasi ka krijuar difer encën prej 4 pikësh nga vendi i dytë në kampionat, Skënderbeu hedh shikimin drejt Kupës së Shqipërisë, ku sot do të luajë në shtëpi ndeshjen e kthimit ndaj Vllaznisë.
Pas barazimit 0-0 në takimin e parë të luajtur në Shkodër, bardhekuqtë e drejtuar nga trajneri Josa do të kërkojnë fitoren për të vazhduar më tej në këtë kompeticion.
Në konferencën për shtyp përpara kësaj ndeshjeje, trajneri Josa ka bërë me dije se skuadra e tij do të kërkojë me çdo kusht kualifikimin, por njëkohësisht duke menduar edhe për ndeshjen ndaj Tiranës.
Profesor, sa i vështirë do të jetë kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës pas barazimit në ndeshjen e parë?
Pavarësisht se çfarë është shkruar dhe çfarë po dëgjojmë nëpër media ditët e fundit, objektivi ynë për momentin është Kupa e Shqipërisë dhe tani jemi të fokusuar vetëm te ndeshja kundër Vllaznisë. Do të shikojmë se çfarë do të alternojmë ndonjë lëvizje brenda skuadrës, pasi ekipi ka dy ndeshje në të cilat kanë luajtur lojtarë që nuk janë ende në gjendje optimale për t'ju bashkuar ekipit.
Fakti që shkodranët kanë bërë me dije se nuk kanë objektiva në këtë kompeticion, ju lehtëson disi?
Vllaznia mund të ketë deklaruar se nuk e ka objektiv Kupën, por kampionatin. Normalisht, çdo ekip ka objektivat e veta dhe Vllaznia ka lojtarë cilësorë në ekip, të cilët mund të kundërvihen, që do të thotë se do të kërkojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze ndaj nesh. Jemi të bindur se Vllaznia nuk do të vijë këtu të humbasë ndeshjen, por do të vijë për të bërë paraqitje të mirë dhe të kërkojë të fitojë takimin në të gjitha mënyrat, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur të fitojmë këtë takim.
Mos ndoshta kjo është ndeshja që lojtarët e huaj të kenë më shumë minuta në dispozicion?
Është e vërtetë që ne kemi shumë lojtarë të huaj dhe ky mbetet një problem më vete. Do të shohim mundësinë që kemi për t'i alternuar këta lojtarë në pozicionet që ata luajnë. Kështu që nuk do të jetë një takim i thjeshtë edhe në këtë drejtim.
Mund të konsiderohet si jo shumë i favorshëm barazimi që keni marrë në ndeshjen e parë?
Nuk mund ta quajmë rezultat jo të favorshëm, pasi kemi parasysh që një javë më pas humbëm në Shkodër me rezultatin 1-0 në sfidën e vlefshme për kampionat. Kupa ka specifikë tjetër. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në veprimet mbrojtëse, por edhe shumë të shpejtë në daljet në sulm.
Do të priten ndryshime në formacion në këtë ndeshje, pasi disa prej futbollistëve kanë sakrifikuar?
Nuk mund të themi që do të ketë ndryshime të mëdha ndaj Vllaznisë, kjo edhe për faktin se do të kemi pesë ditë kohë për të rikuperuar forcat ndaj Tiranës. Kur një lojtar vjen në ekip dhe luan direkt, forma e tij më e mirë merret me minuta loje. Këtu kemi parasysh Orelesin dhe Lilajn që e aktivizuam me Tërbunin për të marrë ritmin e një takimi. Por unë po qëndroj te fakti që problem i madh mbetet për ne numri i lartë i lojtarëve të huaj që kemi në përbërje.
Por afrimet janë bërë më shumë për vazhdimësinë...
Unë nuk jam mësuar të shoh me shumë largpamësi. Kështu le të shohin drejtuesit e klubit. Nëse këta lojtarë në bindin për vazhdimësinë, atëherë do t'i bëjnë vend vetes për të vijuar me ekipin eksperiencën e tyre. Për këtë çështje, mund të flasin më shumë drejtuesit e klubit, pasi ata i dinë më mirë gjërat. Të rikthehemi te Vllaznia.
Ndryshimet në formacion do të jenë më shumë në mesfushë dhe në sulm?
Do të shikojmë me kujdes formacionin. Salihi ka një kontraktim në këmbë, ndërsa Xhejms nuk ka ndonjë problem. Gjendja e tij do të jetë akoma edhe më e mirë. Kemi edhe alternativa të tjera në sulm. Por duhet të shohim sepse nuk e kemi vendosur ende se kush do të marrë pjesë në vendosjen e ekipit në fushë.
Me Partizanin, diferenca është vetëm katër pikë...
Unë për kampionatin nuk doja të flisja sot aspak sepse kemi kohë për të folur. Por mos kujtoni se në luftë është vetëm Skënderbeu dhe Partizani, pasi në garë është edhe Tirana që ka bërë një ecuri pozitive gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht se ne deklarojmë shumë gjëra nëpër media, problemi është se vazhdimësia e çdo ekipi matet me ndeshjen e radhës. Nëse pozitiviteti i Tiranës do të vazhdojë, atëherë do të shikoni që do të flasim edhe për Tiranën si pretendente për kampionat.
Përgatiti: LLAZI SARO