Kupa, trajneri Agostineli modifikon formacionin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani sot do të jetë përballë Laçit, sfidë e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë vijnë në disfavor në këtë përballje, pasi janë mundur 2-0 në takimin e parë të zhvilluar në Laç.
Ndonëse miqtë janë më të favorizuar, "demat e kuq" nuk janë dorëzuar dhe kanë besim se do t'i përmbysin shifrat e përballjes së parë, duke u kualifikuar për në raundin tjetër.
Për sot, trajneri Agostineli nuk ka asnjë lojtar të pezulluar, por sërish grupi nuk është i plotë, pasi disa futbollistë kanë probleme fizike.
Mazrekaj edhe dje ka vijuar terapinë riaftësuese në palestër, ndërsa Fazliu është përgatitur i diferencuar. Pozitiv është fakti se reparti mbrojtës dhe ai sulmues janë thuajse të plotë. Gjatë seancës së djeshme stërvitore, që ka qenë edhe e fundit për ndeshjen me Laçin, trajneri italian ka dhënë idenë se për sot do të ketë një rreshtim surprizë, ose kamuflim. Nga ajo që u pa dje në stërvitje, pritet një modifikim i formacionit, në dallim nga ndeshja e fundit, por gjithçka mund të ndryshojë pak para takimit.
Rreshtimi
Në pjesën e dytë të seancës, të kuqtë zhvilluan një minindeshje brenda grupit, ku trajneri Agostineli praktikoi edhe formacionin e mundshëm për sot.
Rreshtimi ishte një risi, pasi kishte ndryshime në çdo repart. Në ekipin që mendohet se do të jetë titullar mbrojtja ishte e kompozuar me Fejzullahun në të djathtë, Bicaj e Qaqi në qendër dhe Kalarin në të majtë.
Braziliani Filipe si zakonisht i pari para mbrojtjes, ndërsa nga krahët kishte mbështetjen e Trashit dhe Bathës. Sulmi iu besua Filit, Bardhit dhe Sukajt, por fieraku rezultoi "blof", pasi duhet të debutojë më parë tek ekipi B.
Kështu, në vend të tij, mund të luajë një mes Vilës, Torasës dhe Raçiç. Me sa duket, trajneri italian ka besim te këta lojtarë që janë më të freskët dhe që kanë shfaqur kondicion të mirë fizik në stërvitje, pasi vetëm duke pasur lëvizshmëri në fushë, mund ta vënë nën presion kundërshtarin. Ndërsa ekipi tjetër ishte i përbërë nga Ibrahimi, Atanda, G. Krasniqi, Vidoviç, Ramadani, Daja, Vila, F.Krasniqi, Torasa dhe Raçiç.
Përgatiti: ILIR CARA