Mungojnë 5, Tirana e gjymtuar para Flamurtarit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana e "gjymtuar" para Kupës së Sh qipërisë. Përtej rezultatit që kanë në favor (pasi në Vlorë fituan 0-1, me gol të Argjend Malajt), kualifikimi komplikohet ndjeshëm prej situatës në infermieri. Ilir Daja duhet t'i bëjë llogaritë kundër Flamurtarit me 5 mungesa në total.
Veç mungesës së madhe të Gentian Muçës (i cili sot merr rrugën drejt Austrisë), listës së të padisponueshmëve u shtohen edhe lojtarë si: Elis Bakaj, Argjend Malaj, Ervin Bulku e Erjon Vucaj.
Me kaq shumë deficite në organikë, trajneri i kryeqytetasve nuk e ka pasur aspak të lehtë që të ndërtojë 11-shen dhe kur dihet që një pjesë e lojtarëve në fjalë janë titullarë të padiskutueshëm. Që të katërt lojtarët dje janë parë që të stërviteshin të diferencuar, duke ulur kështu shpresat për gatishmërinë e tyre. I vetmi që deri diku mbetet në dyshim është kosovari Malaj, por të pakta janë shanset që stafi teknik ta rrezikojë. Ndërsa një tjetër lojtar që mund të mos e nisë nga e para minutë do të jetë Gjergj Muzaka.
Protagonisti i tri fitoreve të fundit për fat nuk ka probleme fizike, megjithatë Daja ka menduar që të mos i besojë që në start, duke ditur ngarkesën e lartë që ai ka pasur në javët e fundit. Por lajmi i mirë vjen nga Dejan Karan (që mungoi me Bylisin prej kartonëve), si edhe nga Dorian Kërçiku, që ka kaluar totalisht frakturën e pësuar para çerekfinales së parë që luajtën me Flamurtarin.
Në të tilla kushte, pritet që formacioni të pësojë ndryshime, duke filluar nga mbrojtja e deri në majën e sulmit. Në qendër të mbrojtjes, veç Karanit pritet të jetë edhe Teqja, ndërsa në krahë të zakonshmit Smajli e Hoxhallari. Para defensivës është Karabeci, që sipas asaj që u pa dje në stërvitje, pritet që të luajë bashkë me Gërçaliun.
Në të djathtë të mesit të fushës ka balotazh mes Papës dhe Kërçikut, megjithatë kjo do të konfirmohet vetëm sot, ndërsa majtas Gilman Lika. "Pykë" do të jetë Hugo Almeida, i cili nga java në javë ka nisur që të marrë besimin e stafit teknik, ndërsa në mbështetje të tij pritet japonezi Masato Fukui.
Rrezikon Muça, sot në Austri për gjurin
Gentian Muça sot do të marrë rrugën drejt Austrisë. Zv.kapitenit të Tiranës, pasi dërgoi fillimisht analizat në tokë austriake, i është kërkuar që të marrë vetë rrugën dhe të bëjë një kontroll të specializuar për gjurin e tij.
Lideri i mbrojtjes, por edhe mesfushës, dje ishte i pranishëm në "Skënder Halili", por vetëm si vizitor. Një gjë është e sigurt paraprakisht, që ai e humbet Flamurtarin, por edhe Skënderbeun, por nëse diagnoza do të rezultojë sikundër kanë thënë edhe mjekët në Shqipëri, ai rrezikon minimalisht një muaj, pra praktikisht humb edhe derbin e madh të kryeqytetit.
Dyshimet fillestare ishin për kartilagon e gjurit (indi elastik në gju), atëherë ai do të humbte krejt sezonit, pasi një dëmtim i tillë të mban të paktën 6 muaj jashtë. Më tej, doli që Muça mund të kishte problem të dyfishtë dhe krociat, çka do bënte që mungesa të ishte më e shkurtër, minimalisht 1 muaj. Gjithsesi, shkalla e dëmtimit do të verifikohet gjatë kontrollit në Austri.
Përgatiti: ADELA MERKO