Tifozet 'festojne' me proteste 93-vjetorin e klubit te Tiranes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Durimit të tifozëve të Tiranës u ka ardhur fundi. Pas premtimesh pa fund për zgjidhje që nuk vijnë dhe me përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në klubin kryeqytetas, grupimi “Tirona Fanatics” ka zgjedhur pikërisht ditën kur klubi i futbollit shënoi 93-vjetorin e lindjes për të protestuar para Bashkisë së Tiranës. Rreth 150 tifozë kanë dalë në sheshin para bashkisë, duke hedhur parulla për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate.
“Ktu vetëm për Tironën”, “Mos u tallni me Tironën” dhe “Dje thatë nesër… po sot?!”, ishin disa nga parullat që mbanin në dorë tifozët e flaktë të Tiranës, që kanë ndjekur klubin bardheblu rregullisht si në kohën kur ai dominonte në futbollin shqiptar, ashtu edhe në vitet e fundit ku klubi kryeqytetas ka pësuar rënie të ndjeshme në pretendimet e tij. Pikërisht kjo situatë kaotike e krijuar në klubin bardheblu, i mbuluar në borxhe ndaj ish-lojtarëve dhe atyre pak aktualë që vazhdojnë të veshin fanellën e ekipit, të cilët kanë që në muajin janar që nuk paguhen, e shoqëruar me indiferencën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka bërë që tifozët të dalin në shesh duke “festuar” në mënyrë unike 93-vjetorin e krijimit të klubit të tyre të zemrës.
“Mbas disa vjet menaxhimi të K.F. Tirana, dhe premtimeve të pafundme për institucionalizimin e klubit dhe vënien e tij në themele të shëndosha bashkëkohore, me dëshpërim të thellë dhe indinjatë konstatojmë se ndodhemi në situatën më të dëshpëruar dhe kaotike që ky klub ka përjetuar ndonjëherë”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga grupimi i tifozëve të zjarrtë të Tiranës, që i drejtohet kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha.
“Bëhet fjalë për klubin nën administrimin tuaj zotërinj të nderuar, klubin më të titulluar në vend, klubin simbol të qëndresës në vitet e errëta të diktaturës, por njëkohësisht edhe pjesën e identitetit të qytetit tonë, të krenarisë sonë, të qenies sonë. Për klubin e themeluar nga Toptanasit dhe gjithë paria tiranase, që lulëzoi nën drejtimin dhe financimin e Stërmasit të madh, klubin e Lushtës, Kryeziut, Karapicit, Zajmit, Gurrashit, Frashërit, Kasmit, Hykës, Memave, Dibrës, Baçit, Kolës, Mingës e sa e sa të tjerëve. Pasiviteti, mosdëshira, veprimet e gabuara dhe kryesisht mosveprimet Tuaja kanë sjellë klubin në gjendjen aktuale. Ju kemi pritur pafund të realizoni premtimet e bëra në mënyrë periodike, kemi pritur rikthimin e dinjitetit, të shpirtit karakteristik dhe të titujve. Në vend të kësaj po shohim venitjen e vlerave, papërgjegjshmërinë absurde dhe rënien aktuale. Klubi u kthye ne vatër vegjetuesish dhe përfituesish interesash personale, pa lidhje me Tironën e Modhe, të shpirtit tonë. Sinqerisht nuk mund t’i japim përgjigje pyetjes: NUK DINI apo NUK DONI?!”, është akuza e hapur e “Tirona Fanatics”, që më pas kanë bërë edhe apelin e tyre për zgjidhjen e situatës së pakëndshme të krijuar.
“Kërkojmë nga Ju, në mënyrë urgjente, të gjeni zgjidhjen për funksionimin e klubit siç e meriton. Nuk na intereson kush e jep zgjidhjen dhe as nga ç’fushë e biznesit është apo cilit krahu i përket. Ne duam dinjitetin e Tironës tonë, në vendin ku i takon. Ne duam që klubi të gjejë qëndrueshmëri dhe rregull në funksionimin e tij, në mënyrë që pas një viti, në 94-vjetorin e klubit të mos gjendemi përsëri këtu, me të njëjtat kërkesa. Këta njerëz të mbledhur sot, në 93-vjetorin e themelimit të klubit, janë këtu për t’ju kujtuar se: TIRONA ËSHTË SHUMË MË TEPËR SE NJË EKIP! TIRONA ËSHTË HISTORI, TRADITË, PASION, IDE, SAKRIFICË, QËNDRESË! TIRONA ËSHTË JETA DHE SHPIRTI YNË! Mos e shpërfillni atë!”, ishte apeli i lëshuar nga tifozët të cilët kanë bërë të qartë se duan që nga ky moment që klubi të shkëputet nga ndikimet politike që e kanë lënë në vendnumëro.
Statusi
Klubi tani është një sh.a që vlerësohet 5 miliardë lekë
Që nga 12 tetori i vitit 2011, me vendim unanim të Këshillit Bashkiak, KF Tirana është shndërruar në shoqëri aksionere nën pronësinë e plotë të Bashkisë që zotëron 100% të aksioneve të saj. Në atë periudhë, klubi dhe asetet e tij (fusha stërvitore “Skënder Halili” dhe stadiumi “Selman Stermasi”, vlerësohen në total me shumën 5 miliardë lekë. Ndonëse në atë periudhë nga kryebashkiaku Basha u premtua afrimi i donatorëve të rinj në klub si dhe njohja e kontributit të ish-donatorëve, gjithçka është lënë në harresë dhe Tirana ka mbetur plotësisht në dorë të bashkisë së kryeqytetit.