e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Babai i Adnand Januzaj: Nuk i kam rekomanduar Shqiperine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Babai i Adnand Januzaj: Nuk i kam rekomanduar Shqiperine

Përfshirja me Kombëtaren shqiptare është ndër gjërat e fundit me të cilat po merret aktualisht futbollisti i Manchester United, Adnan Januzaj. Babai i tij, që njëherësh kryen edhe detyrën e menaxherit, Abedin Januzaj, ka folur ekskuzlivisht për Kohavision (KTV), pas raportimit të lajmit se Januzaj do të preferojë Shqipërinë para Belgjikës.

“Asgjë nuk është e vërtetë, asnjë nga ato që janë shkruar në mediat belge dhe shqiptare. Asnjëherë nuk i kam thënë Adnanit që ta zgjedhë Kombëtaren e Shqipërisë. E përsëris, Adnani është i përqendruar maksimalisht vetëm në punë me Manchester Unitedin. S’ka pasur asnjëherë ofertë nga Shqipëria dhe për momentin nuk kemi plane me asnjë kombëtare”, ka thënë Abedin Januzaj.

Ai ka shtuar se nuk ka pasur ndonjë kontakt me Tiranën dhe se nuk i duhet besuar raportimeve të mediave, sidomos atyre nga Shqipëria. Por, ai gjithsesi ka falënderuar të gjithë ata që po i japin përkrahje djalit të tij.

Ka një javë që ka nisur fushata “Adnan, thuaj PO Shqipërisë”, në të cilën janë përfshirë mijëra shqiptarë nga mbarë bota, me dëshirën më të mirë që ta shohin Januzajn me fanellën kuq e zi.

Adnani ka luajtur 10 minuta, duke zëvendësuar Robin Van Persien, në Superkupën e Anglisë, që ekipi i tij e fitoi 2:0 ndaj ekipit Wigan.

Kampioni anglez është duke përgatitur një marrëveshje të re 5-vjeçare për kosovarin me prejardhje nga Istogu, pasi që për shërbimet e tij tashmë janë interesuar edhe Barcelona dhe Juventusi. Januzaj ka shkëlqyer në ndeshjet përgatitore të Manchester Unitedit duke shënuar një gol dhe asistuar disa herë, si dhe është zgjedhur lojtari më i mirë në dy nga pesë ndeshjet në të cilat është paraqitur. Ai pret të inkuadrohet në formacionin e parë në ndeshjen e sotme që M. United e luan në udhëtim kundër ekipit Swansea, në kuadër të xhiros së parë të Premier League.