e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skenderbeu thyen mallkimin, merr Superkupen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skenderbeu thyen mallkimin, merr Superkupen

Skënderbeu më në fund ka bërë të vetën Superkupën e Shqipërisë, ndonëse skuadra e Mirel Josës është dashur të lodhet më shumë sesa kishte parashikuar për të arritur këtë triumf. Pas dështimeve në dy sezonet e kaluara përballë Tiranës, korçarët vinin në ndeshjen përballë Laçit me besimin se mund të kalonin kurbinasit, duke synuar që të hakmerreshin edhe për Kupën që këta të fundit i kishin rrëmbyer në edicionin e kaluar.

Por kjo nuk ka qenë një fitore e lehtë, pasi me përjashtim të minutave të para të dominuara nga korçarët, pjesa tjetër e takimit ishte e barabartë, për të mos thënë më shumë në ritmin e ekipit laçian. Skënderbeu përfitoi nga euforia e minutave të para për të gjetur golin e avantazhit me Pejiç, ndërsa më pas u tërhoq disi duke u lëshuar terren laçianëve. Por këta të fundit e kanë shumë të vështirë të gjejnë rrugën e rrjetës, edhe pse shfaqen shumë shpesh para portës së Shehit. Duket se kjo tërheqje e korçarëve ishte edhe një taktikë e zgjedhur nga Josa, i cili po mendonte për ndeshjen e mesjavës në Europa League ndaj Çornomorets Odesës. Një ndihmë të madhe skuadrës së tij ua dha edhe gjyqtari Enea Jorgji, i cili largoi me karton të kuq mbrojtësin Çarls në minutën e 69-të, për një faull që nuk e meritonte një ndëshkim kaq të ashpër.

Por Laçi nuk dorëzohet dhe krijon raste të njëpasnjëshme edhe në inferioritet numerik. Si rrjedhojë e këtij insistimi, vjen edhe goli i merituar i barazimit në minutën e 93-të të takimit, me autor Buljan, i cili mposht Shehin me një gjuajtje pikërisht në shtyllën e parë. Plani i Josës prishet, pasi nga një ndeshje me ruajtje energjish, tashmë ajo shkon në shtesa, pikërisht ajo që trajneri dëshironte të evitonte me çdo kusht.

Vetëm pak minuta pas fillimit të shtesës së parë, mes dy ekipeve rivendoset barazia në fushën e lojës, pasi Orelesi ndëshkohet me karton të kuq. Por kjo nuk zbeh aspak ndeshjen që edhe në shtesë vazhdon të dhurojë emocione të njëpasnjëshme, ndonëse të dyja skuadrat nuk arrijnë të gjejnë më rrjetën.

Ndaj për të përcaktuar fituesin e Superkupës së Shqipërisë duhen gjuajtjet e 11-metërshave, ku rezulton vendimtar gabimi i portierit Bakaj i cili gjuan jashtë penalltinë e pestë të kurbinasve, ndërsa Fagu transformon qetësisht duke i dhënë për herë të parë trofeun e Superkupës ekipit të Skënderbeut.

 

Skënderbeu-Laçi 1-1 (4-3 pen.)

Shënues: 7’ Pejiç / 90’+3’ Buljan

Penalltitë: Radas+, Pejiç+, Ademir-, Shehi+, Fagu+ / Zefi-, Buljan+, Veliaj+, Teqja+, Bakaj-

 

Skënderbeu: Shehi, Ademir, Arapi (82’ Bici), Vrapi, Radas, Lilaj, Orelesi, Muzaka (100’ Fagu), Abazi, Pejiç, Morina (73’ Ribaj). Trajner: M.Josa

Laçi: Bakaj, Kastrati (65’ Haliti) (91’ Nino), Ndreka, Buljan, Çarls, Sefgjini, Veliaj, Teqja, Zefi, Vucaj, Nimani (73’ Shazivari).

Trajner: S.Nica

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Redi Avdo, Ergin Doda.

KV: Arapi, Lilaj, Orelesi, Ademir, Vrapi / Ndreka, Sefgjini

KK: Orelesi / Çarls