Juventus e nis me trofe, mposht 4-0 Lazio-n ne finalen e Superkupes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventusi e nisi mjaft mirë sezonin e ri futbollistik, duke mposhtur Lazio-n me rezultatin 4-0 në finalen e Superkupës italiane, e cila u zhvillua sot në mbrëmje. Kampioni i Serie A, u tregua mjaft superior ndaj kundërshtarit, duke ngritur lart trofeun e parë sezonal, ende pa filluar mirë ky sezon. Ndërsa i pranishëm në stadium ka qenë edhe kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë, Edi Rama, i cili është parë i ulur afër presidentit të klubit juventin. Goleadën e hapi francezi Paul Pogba, i cili shënoi për bardhezinjtë që në minutën e 23-të, ndërsa mbrojtësi Chiellini dyfishoi gjithçka në pjesën e dytë, përkatësisht në minutën e 52-të. Dy minuta më pas ishte anësori, Stephan Lichsteiner, ai që trefishoi gjithçka, duke e fundosur më tej skuadrën ku aktivizohet edhe Lorik Cana. Ndërsa golin e katërt, e shënoi Carlos Tevez, sulmuesi argjentinas, i cili u transferua këtë verë nga anglezët e Manchester City-t.