e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Tifozet Kuq e Zi': Ja se si behet Liga Mbarekombetare!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Tifozet Kuq e Zi': Ja se si behet Liga Mbarekombetare!
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka dalë kundër idesë së kryeministrit të vendit, Sali Berisha lidhur me krijimin sa më parë të Ligës Mbarëkombëtare. Kreu i FSHF-së, ka udhëtuar dje për në Kosovë i shoqëruar edhe nga sekretari i Përgjithshëm i federatës, Ilir Shulku, si i ftuar nderi për mbrëmjen gala të çmimeve në futbollin kosovar. Ndërkaq, me këtë rast dy krerët e institucioneve përkatëse të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë kanë diskutuar edhe për ligën mbarëkombëtare, duke dalë në konkluzion se kryeministri i Shqipërisë, është duke e shfrytëzuar projektin për Ligën për fushatë zgjedhore.

Sipas tij, FSHF-së dhe FFK-së nuk u mungon vullneti për të realizuar këtë projekt, por që kjo punë nuk mund të bëhet për momentin. “Futbolli duhet ndihmuar, duhet ngritur e pastaj duhet përdorur. Unë nuk e di se a është duke u përdorur apo duke u ndihmuar. Ajo që di është se FSHF-ja e FFK-ja kanë kontribuar maksimalisht për zhvillimin e futbollit dhe për bashkimin e shqiptarëve. Nuk mungon vullneti ynë, ndërsa praktikisht duhet parë pengesat dhe duhen bashkuar forcat për t’i kapërcyer këto pengesa. Faza finale është anëtarësimi i Kosovës, i cili i bën të dyja federatat të vendosin dhe të kenë të drejtat të bëjnë organizime kampionateve të përbashkëta”, ka thënë Duka për mediat kosovare.

Sakaq, Duka ka këshilluar krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që të mos nxitojnë për ta çuar FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), pasi kjo, sipas tij, nuk do të sillte ndonjë rezultat në favor të Kosovës. “Nëse kërkoni një mendim timin personal, unë gjithmonë tentoj t’i zgjidh gjërat me konsensus, me marrëveshje dhe me negociata, me lobim dhe jo me konflikt”, ka thënë Duka. FFK-ja ka bërë të ditur se po mendon ta çojë FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në kuadër të strategjisë së re për t’iu kundërpërgjigjur vendimit të fundit të kësaj organizate për miqësoret e Përfaqësueses së Kosovës. Zyrtarë të FFK-së vlerësojnë se kanë argumente të mjaftueshme për të fituar rastin, sidomos pasi FIFA ndryshoi gati tërësisht vendimin që kishte të bënte me miqësoret e Kosovës, ku fillimisht Kosovës iu lejua pa kushte të luante, kurse së fundi u vendos që Kosovës t’i lejohej të luante me grupmosha të reja, femra, amatorë dhe klube, ndërkohë që për ekipin A nuk iu dha leje.

Për t’u bërë vendimi tërësisht i papranueshëm për FFK-në, FIFA e obligoi atë që të kërkojë leje nga Federata e Serbisë nëse dëshiron të organizojë ndonjë ndeshje brenda Kosovës, kurse për ato jashtë Kosovës nuk ka nevojë leja nga Serbia, por Kosova nuk bën të paraqitet me asnjë simbol shtetëror. “Të padisësh UEFA-n mendoj se nuk arrin ndonjë rezultat dhe nuk fiton, sepse statuti i UEFA-s është takstativ duke parashikuar se duhet të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara për të qenë anëtar i UEFA-s. Ndërsa statuti i FIFA-s realisht ka hapësira për t’u shfrytëzuar dhe për të shkuar drejt anëtarësimit. Nga këndvështrimi im, vullneti i presidentit të FIFAs ka qenë pozitiv në marrëdhënie me Kosovën, duke rikujtuar njohjen e certifikatave, një lloj ndihme për FFKnë në përgatitjen e trajnerëve. Por, hapi i fundit, vendimi i dhjetorit, nuk e di në çfarë rrethane, por ishte një hap prapa i presidentit të FIFAs”, ka thënë Duka.

ÇFARË THA KRYEMINISTRI

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë të premten e shkuar riktheu në skenë idenë e krijimit të një lige mbarëkombëtare të futbollit. Kreu i ekzekutivit shqiptar i kërkoi ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, që të ulet e të punojë me homologun e tij kosovar për shkrirjen në një të ligës së futbollit për të dyja vendet. “Uluni dhe bëjeni projektin bashkë me ministrin kosovar. Nëse rregullat përkatëse e lejojnë, të përfshihen të gjitha skuadrat në një kampionat mbarëkombëtar. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të fuqizojmë tregun e futbollit, për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh”, – tha kryeministri.

NENI 79

1 – Nuk mund të zhvillohen ndeshje apo të lidhen kontakte sportive mes anëtarëve ose shoqatave që nuk janë anëtare të FIFA-s, apo që nuk u përkasin konfederatave a klubeve të tyre, pa marrë aprovimin e FIFA-s.
2 – Ndalohet zhvillimi i ndeshjeve kundër skuadrave, lojtarët e të cilave nuk i përkasin një klubi apo lige që lejohet nga FIFA.
3 – Anëtarët dhe klubet e tyre nuk lejohen të zhvillojnë ndeshje në territorin e një vendi që nuk është pranuar në FIFA.

“Tifozët Kuq e Zi”: Ja si bëhet Liga mbarëkombëtare!

Grupimi “Tifozët Kuq e Zi” ka lëshuar një komunikatë për shtyp, me anë të së cilës ka paraqitur edhe idenë e realizimit për Ligën mbarëkombëtare. Ata kanë kërkuar që në këtë ligë të mos përfshihen vetëm ekipe nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga Ilirida dhe Mali i Zi. Gjithashtu, ata nuk kanë lënë pa kritikuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, e cila, sipas tyre, i ka përdorur ata si mjet presioni që Kosova të pranohet në FIBA e jo që ta bashkojnë ligën e basketbollit me Shqipërinë. “‘Tifozët Kuq e Zi’ e kanë hedhur prej vitesh platformën për bashkimin e ligave në futboll.

Me vëmendje të madhe po i ndjekim zhvillimet e fundit për krijimin e një kampionati kombëtar gjithëshqiptar. ‘Tifozët Kuq e Zi’ janë thellësisht të zhgënjyer me disa federata (në veçanti Federatën e Basketbollit të Kosovës), e cila kishte kërkuar nga ne që të përkrahnim nismën për një ligë të përbashkët të basketbollit, derisa pak muaj më vonë, pas pranimit (me kushte të skuadrës së Prishtinës në Ligën Ballkanike), u tha se nuk u intereson më bashkimi në një ligë, pasi qëllimi tashmë ishte arrirë, që të bëhej trysni tek FIBA! Kjo është dyfytyrësi dhe ‘thikë pas shpine’ për ‘Tifozët Kuq e Zi’, të cilët përkrahin çdo iniciativë qëllimmirë për bashkimin e sporteve andej e këndej Morinës, dhe jo vetëm. ‘Tifozët Kuq e Zi’ konsiderojnë se Superiorja e futbollit të Shqipërisë nuk mund të quhet ‘Kampionati Kombëtar’ përderisa në gjirin e saj ka vetëm ekipe nga afërsisht 29.000 km e saj.

Kampionati kombëtar, përveç ekipeve nga Shqipëria dhe Kosova, duhet të përfshijë edhe ekipet shqiptare në Iliridë dhe ato në Mal të Zi. Nuk është hera e parë që ju drejtohemi. Politika, qeveritë dhe federatat janë informuar prej kohesh si realizohet kjo pa i marrë leje askujt! Pse nuk e realizojnë, për këtë të përgjigjen ata. Duam vepra, jo fjalë. Për të treguar që ‘Tifozët Kuq e Zi’ nuk janë organizëm që japin vetëm kritika, por që ofrojnë edhe zgjidhje për kritikat që japin, po japim një zgjidhje, konkretisht.

Statuti i FIFA-s thotë: “FIFA nuk lejon vende dhe klube joanëtare të luajnë me vende dhe klube anëtare. Kosova nuk është anëtare”. Zgjidhja: Mjafton që klubet e Kosovës të regjistrohen në Shqipëri. Klubi Prishtina ka kërkuar prej kohësh te kryeministri, ministri dhe federatat, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Problemi (po i paraprijmë problemit që do ngrejë FSHF-ja pas zgjidhjes më lart): Klubi Prishtina duhet të regjistrohet në Kategorinë e Tretë në Shqipëri.

Zgjidhja: Klubi Prishtina është shumë më i mirë sesa gjysma e klubeve të Superiores në Shqipëri. Si nivel futbolli, si nivel financiar dhe si nivel tifozerie. Të pranohet Klubi Prishtina me vendim të KE-së së FSHF-së bashkë me të paktën 4 klube nga Kosova me buxhet më të lartë se ato të Superiores së tanishme në Shqipëri. Jemi në pritje të çdo justifikimi tjetër nga ana juaj. Ju premtojmë që punën do ta bëjmë ne. Nga ju do të nevojitet vetëm nënshkrimi”, – thuhet në komunikatën e grupimit.