e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqiperia, 13 pike per Mesin, Cana votoi Kristiano Ronaldon

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiperia, 13 pike per Mesin, Cana votoi Kristiano Ronaldon
Leo Mesi vazhdon të shkruajë historinë. Fitoi të katërtin “Top të artë” radhazi dhe në moshën 25 vjeç, lë pas shpatullave emra si Platini, Krujf e Van Basten. Një sukses i legjitimuar me 41.60% të votave të gazetarëve, trajnerëve dhe kapitenëve të kombëtareve të të gjitha vendeve të botës.

Shqipëria – Por për të arritur këtu, talenti argjentinas ka koleksionuar edhe 15 pikë nga Shqipëria. Lionel Mesi kishte mbështetjen e dy prej tre votave shqiptare. Trajneri Xhani de Biazi i ka dhënë 5 pikë argjentinasit, duke zgjedhur pas tij Kristiano Ronaldon dhe Ksavi Alonson. Për sulmuesin votoi edhe gazetari shqiptar, Besnik Dizdari, që pas yllit të Barcelonës klasifikoi Andres Iniestan dhe Kristiano Ronaldo. Disi më ndryshe kapiteni Lorik Cana. Kapiteni kuqezi zgjodhi në vend të parë Kristiano Ronaldon, tri pikë ia dha Mesit dhe një Iniestas. Për sa i përket votimit për trajnerin më të mirë, vetëm gazetari Dizdari ka arritur të qëllojë në shenjë.

Ai i ka dhënë 5 pikë të plota fituesit Visente del Boske, ndërsa pas tij vendosi Roberto di Mateo (3) dhe Çezare Prandeli (1). Trajneri i Spanjës nuk përfshihet aspak në votimin e De Biazit dhe Canës. Tekniku italian votoi bashkëkombësin e tij Roberto di Mateo me pikë të plota (5) dhe pas tij Jup Heinkes (3) e Pep Guardiola (1). Për mesfushorin kuqezi, trajneri më i mirë i vitit ishte Jurgend Klop (5 pikë), i ndjekur nga Zhoze Murinjo (3) dhe Roberto di Mateo (1).

Kuriozitete – Ajo që binte në sy pas publikimit të votave zyrtare nga FIFA, ishte se “big”-ët botërorë nuk e pëlqejnë Lionel Mesin. Gjithçka lidhet me strategjitë dhe vlerësimet e yjeve nga vendet respektive. Del Boske i Spanjës zgjodhi Kasijas, Ksavin e Iniestan, ndërsa Kasijas votoi për Sergio Ramos, Ronaldo e Xavin. Italianët Prandeli dhe Bufon kanë votuar për Andrea Pirlon në vendin e parë. Edhe gjermanëve nuk u pëlqen Mesi. Joakim Lëv zgjodhi të parin Ëzil, ndërsa kapiteni Lahm votoi Iniestën, duke lënë Mesin të dytin. Menezes, ish-trajneri i Brazilit, votoi Kristiano Ronaldon. Tendenca ndryshon në Angli, ku trajneri Hoxhson dhe kapiteni Xherrard votuan Mesin. Për argjentinasin ishte edhe vota e francezit Deshamp.

Futboll femra – Interesant është votimi i futbollistes më të mirë femër dhe trajneres më të mirë femër, ku Shqipëria kishte vetëm dy përfaqësues me të drejtë vote, trajnerit të kombëtares Altin Rraklli, dhe kapitenia kuqezi, Aurora Seranaj. Asnjëri prej tyre nuk e ka përfshirë në përzgjedhjen e bërë fituesen e “Topit të Artë” për femra, amerikanen Abi Uambah. Trajneri Rraklli i dha 5 pikë të plota futbollistes Aleks Morgan, 3 pikë Aja Mijamas dhe vetë një pikë brazilianes Marta. Ndërsa për kapitenen më të mirët ishin Marta (5 pikë), Aleks Morgan (3) dhe Aja Mijama (1). Por të paktën Seranaj mundi të identifikonte trajneren e vitit 2012, sepse në krye të listës së saj vuri pikërisht fituesen Pia Sundhage të SHBA-së dhe pas saj klasifikoi Hiroshi (3) dhe Steve Suanson (1). Për Rrakllin, trajneria më e mirë e vitit duhej të ishte Hiroshi Yoshida (5), Pia Sundhage (3), Patrise Lair (1).

Të veçanta

27 pikët

27 pikët që Shqipëria kishte në dispozicion për votimin e “Topit të artë” të vitit 2012 i shpenzoi duke i dhënë 13 Mesit, 9 Ronaldos, 4 Iniestës dhe 1 Ksavi Alonsos

Dizdari

Gazetari Besnik Dizdari qëlloi në shenjë me Del Bosken. Cana dhe De Biazi nuk e përfshinë aspak në përzgjedhjen e tyre fituesin e titullit “Trajneri më i mirë 2012”

Femra

Trajneri i kombëtares së Shqipërisë për femra, Altin Rraklli, dhe kapitenia kuqezi, Aurora Seranaj, nuk përfshinë në listën e tyre fituesen e “Topit të artë”, Abi Uambah

Votat e Shqipërisë

LORIK CANA (Kapiten)

Futbollisti më i Mirë

Kristiano Ronaldo (5 pikë), Lionel Mesi (3), Andres Iniesta (1)

Trajneri më i Mirë

Jurgend Klop (5), Zhoze Murinjo (3), Roberto di Mateo (1)

XHANI DE BIAZI (Trajner)

Futbollisti më i Mirë

Lionel Mesi (5), Kristiano Ronaldo (3), Ksabi Alonso (1)

Trajneri më i Mirë

Roberto di Mateo (5), Jup Heinkes (3), Pep Guardiola (1)

BESNIK DIZDARI (Gazetar)

Futbollisti më i Mirë

Lionel Mesi (5), Andres Iniesta (3), Kristiano Ronaldo (1)

Trajneri më i Mirë

Visent Del Boske (5), Roberto Di Mateo (3), Çezare Prandeli (1)

ALTIN RRAKLLI (Trajner)

Futbollistja më e Mirë

Aleks Morgan (5), Aja Mijama (3), Marta (1)

Trajneri më i Mirë (Femra)

Hiroshi Yoshida (5), Pia Sundhage (3), Patrise Lair (1)

AURORA SERANAJ (Kapitene)

Futbollistja më e Mirë

Marta (5), Aleks Morgan (3), Aja Mijama (1)

Trajneri më i Mirë (Femra)

Pia Sundhage (5), Hiroshi Yoshida (3), Steve Suanson (1)