Tiago Alkantra ‘tradhton’ Junaited, gati te firmose per Bajernin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kur dukej se kalimi i mesfushorit të Barcelonës, Tiago Alkantra, tek Mançester Junaited ishte thjesht një formalitet, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të papritur. Siç bën me dije e përditshmja spanjolle “Sport”, e cila është shumë pranë Barcelonës dhe ka burime të besueshme, Tiago Alkantra do të transferohet tek Bajerni i Mynihut.
Ka mjaftuar vetëm një bisedë me ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola, që Alkantra të bindet për të firmosur me Bejernin, duke tradhtuar kështu Junaited, ekip me të cilin kishin mbetur vetëm detajet për të nënshkruar kontratën e transferimit në Angli. Megjithatë, ende nuk ka asgjë zyrtare dhe tashmë pritet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë me mesfushorin e talentuar.