'The Sun': Adnan Januzaj zgjedh kombetaren e Anglise?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duket se prestigjiozja britanike “The Sun”, në numrin e vet të datës 31 janar 2014, i ka dhënë përgjigje një dileme që ka ndezur mendjet dhe zemrat e tifozërisë kuqezi, të shqiptarëve anembanë botës. Adnan Januzaj jo vetëm që nuk e ka fare në “listë” kombëtaren e Shqipërisë, pra të kombit të vet, as atë të Kosovës, ku ka lindur babai dhe menaxheri i tij njëkohësisht, sikurse përflitej. Nuk do të ketë shanse as Belgjika, ku ka lindur dhe është evidentuar si futbollist në akademinë e Anderlehtit, para se të transferohej te Mancester Junajtid. Anglia duket se e ka bërë të vetin tashmë talentin 18-vjecar, jo vetëm si pjesë e “Premier League” me “Djajtë e Kuq”, por do t’i besojë e rezervojë edhe një fanellë të kombëtares së drejtuar nga Hodgson.
“The Sun” publikon në numrin e sotëm një ekskluzive, ku u referohet burimeve pranë lojtarit dhe trajnerit të kombëtares angleze, duke zbuluar se Adnan Januzaj do të bëhet pjesë e “Tre Luanëve”. Me foton e djaloshit 18-vjecar në ballinën e suplementit sportiv, që mban veshur fanellën e kombëtares angleze, kjo gazetë prestigjioze britanike i jep zgjidhjen “fjalëkryqit” që ka mbajtur ngërthyer disa shtete njëkohësisht. Thënë shkurt e shqip, refuzimi i babait të Januzajt për të kontaktuar me drejtuesit e FSHF-së e ka një bazë konkrete dhe kjo ka të bëjë me përgjigjen pozitive që ai i ka dhënë kombëtares angleze. Kësisoji, nëse i referohemi deklaratës së “The Sun”, bien poshtë të gjitha përpjekjet e shqiptarëve, duke përfshirë këtu edhe angazhimin e Kryeministrit Edi Rama, apo të zv.kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, për të veshur kuqezi një ndër talentet më të spikatura për momentin në botën e futbollit. Para dëshirës së madhe të De Biazit për ta pasur në skuadër, para nismave të shumta të tifozëve shqiptarë edhe në rrjetet sociale, para angazhimit shtetëror shqiptar, Adnan Januzaj ka zgjedhur jo kombin, por mundësinë më të mirë për karrierën e tij, Anglinë.
Mediat angleze Duke iu referuar të njëjtit burim të “The Sun, media të tjera angleze shkruajnë gjithashtu se “Adnan Januzaj është i gatshëm për ta lidhur të ardhmen e tij ndërkombëtare me Anglinë. “Yllthi” i Mancester Junajtid, 18-vjec , u ka thënë miqve të tij se është i prirur për të luajtur nën urdhërat e Roi Hodgson, me kombëtaren e “Tre Luanëve”. Megjithatë, mesfushori i lindur në Belgjikë pranon se babai i tij, Abedini, do të ketë fjalën e fundit në këtë vendimmarrje,” – citon “Mirror”.
“Adnan ndihet si në shtëpi në Angli, tani, – i tha një mik i 18-vjecarit “The Sun”. – Ai e do futbollin që luhet këtu, stadiumet dhe pasionin e tifozëve. Januzaj është i lumtur të presë derisa mund të luajë për Anglinë pa zgjedhur kombëtare tjetër. E vetmja pengesë është babai i tij, sepse ai ka një ndikim të madh në jetën dhe karrierën e Adnanit. Vendimi , në fund të fundit do të merret nga babai i tij menaxher. “Background “-i Januzajt e bën atë të kërkuar të luajë për Belgjikën, Shqipëri në, Turqinë, Serbinë apo edhe Kosovën, në qoftë se kjo e fundit do të njihet nga FIFA. Megjithatë, tani me sa duket është i gatshëm të presë për t’u aktivizuar me Anglinë. Sipas rregullave të FIFA-s, ai mund të presë edhe dy vite e gjysmë, që të plotësojë qëndimin 4-vjecar në Angli, për të pasur të drejtë të marrë shtetësinë e këtij vendi. Kujtojmë se Januzaj është transferuar te Mancester Junajtid që kur ishte 16-vjec.”