Tevez: Dibala më dëfren, refuzova Realin dhe Atletikon e Madridit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tevez shijon dyfish rikthimin në shtëpi, pasi është i bindur se ka lënë "Zonjën" në duar të sigurta.
Gjatë një interviste për "Marca"-n, ish-bomberi i Juves komenton rikthimin në vendlindje si dhe zbulon se për hir të Bokës i kishte thënë "jo" Atletikos dhe Realit.
Si sillet dikush që është ikonë e vendit të tij?
Unë nuk jam shembull për asgjë. Dua vetëm që të jem frymëzim për të rinjtë që duan t'ia dalin. Ata duhet të kuptojnë se ka më shumë rëndësi të jesh një njeri i mirë sesa një futbollist i madh. Na habite me vendimin që more, u riktheve shumë shpejt në Argjentinë. Shumë arsye më shtynë që të rikthehesha. E para është se kisha kaluar shumë vite jashtë vendit tim. Kishte kaluar shumë kohë që unë nuk jetoja me prindërit e mi. Kam humbur shumë gjëra. Por kur dikush plotëson mangësitë ekonomike, fillon që të mendojë për lumturinë.
Çfarë të tha truri që u riktheve?
Vajza ime Flor më shtyu të rikthehesha. Ajo është 11 vjeçe dhe vuante shumë sa herë që ndahej prej gjyshërve dhe kushërinjve të tjerë, të cilët vinin në Itali për të na parë.
A ishte shumë e parezistueshme oferta e Atletikos?
Po, më telefonoi vetë "Cholo" (Simeone). Më vjen keq që më mungon një eksperiencë atje, por nuk mund t'i thosha jo Bokës. Tek Atletiko kisha gjithçka që kërkoja, pasi skuadra luante si për kampionat edhe për Champions. Përpara se të interesohej Atletiko, kam pasur oferta edhe nga Reali i Madridit. A të mungon Europa? Më mungon qetësia që gjeja në rrugët e tyre. Këtu tifozët të afrohen shumë, ndërkohë që atje ishte ndryshe. Nga ana futbollistike, nuk më mungon pothuajse asgjë, pasi edhe në këtë kemi Champions-in tonë, Libertadoresin.
A kujdesesh njëlloj për trupin?
Tani i përkushtohem më shumë, pasi tani nëse konsumon një çokollatë nuk e tret po aq shpejt sa ç'mund ta tresësh kur je 20 vjeç.
Si ka mundësi që vazhdon të jetosh në lagjen ku ke lindur?
Familja ime dhe miqtë janë gjithçka për mua. Unë vazhdoj të bëj jetën time normale, pasi kështu më pëlqen. Nuk më pëlqen që të marr asnjë helikopter me qira për të shkuar në ndonjë qytet tjetër. Thuhet se shokët e tu nuk të lënë që të paguash asnjëherë në tavolinë. E vërtetë, për ata jam po ai me të cilin luanin futboll në lagjen "Fuerte Apash". Luanim duke vendosur bast një sanduiç apo një "Cola". Unë jam po ai që ndante gjithçka me ata. Ata më lejojnë që të shikoj të vërtetën. Kam luftuar shumë që familja dhe miqtë e mi të jenë të qetë tani. Më trego diçka më shumë rreth "Fuerte Apashit" të famshëm. Është esenca ime. Unë jam edukuar në rrugë dhe jo në shkollë, prandaj një pjesë të mirë të atyre që kam arritur deri më sot ia detyroj pikërisht vendit tim. Ne nuk kishim për të ngrënë, por kur kishim miq në shtëpi mbushnim tavolinën plot. Unë gjithmonë e kam pasur të qartë se prej ku vij. Për këtë arsye njerëzit më kanë vlerësuar shumë.
Si u more vesh me Fergusonin?
Nuk e di kur ka ndodhur, pasi me atë kisha një marrëdhënie normale. Te Junajtidi unë luajta si i huazuar për dy vite dhe Fergusoni më tha se në vitin e fundit do të ofronte një kontratë të re. Kjo gjë nuk ndodhi dhe unë ika te Siti.
Si ndiheshe kur luaje pranë Kristiano Ronaldos?
Ka shumë personalitet. Është një profesionist i madh, pasi është i pari që mbërrin në stërvitje dhe i fundit që del prej andej.
A do të duhet të punosh më shumë për të kaluar Mesin?
Edhe Mesi vetë është stërvitur shumë për të arritur aty ku është. Po ta mbani mend, ai nuk shënonte nga goditjet e dënimit, por tani ia del, pasi është stërvitur shumë. Për mua talenti dhe puna shkojnë krah për krah. Po ta keni vënë re, Mesi në dy vitet e fundit kujdeset shumë për ushqimin. Sapo braktisi "Coca Cola"-n dhe ushqimet e tjera ndryshoi rendiment në fushë.
Si i shikon Moratën dhe Dibalën te Juventusi?
Vitin e kaluar tregova se me Moratën merresha vesh mjaft mirë. Arritëm deri në finalen e Ligës të Kampioneve. Morata është një lojtar i madh. I një tjetër kategorie është edhe Dibala. Më ekzaltonte te Palermo dhe tani po bën të njëjtën gjë edhe te Juventusi.
A flisni për futboll në shtëpi?
As flasim e as shikojmë futboll. Me miqtë flasim për problemet tona të përditshme ose luajmë me letra. Unë mund të shikoj Real-Barça vetëm nëse vendoset titulli.
Kur do të varësh "këpucët në gozhdë"?
Duhet të pyesni bashkëshorten. Mua më pëlqen të udhëtoj, të njoh popuj të rinj dhe kultura të reja.
Përgatiti: ALTIN VORPSI