Bastet, Martin Demikelis rrezikon ndëshkimin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Martin Demikelis është në telashe të mëdha.
Mbrojtësi i Mançester Sitit është akuzuar dje nga Federata e Futbollit pasi, sipas institucionit në fjalë, gjatë janarit ka shkelur plot 12 herë rregulloren që ka lidhje me bastet.
Nota zyrtare
Federata më e vjetër e kontinentit ka reaguar dje, nëpërmjet një note zyrtare, mbi këtë çështje dhe ka bërë publike akuzën që rëndon mbi mbrojtësin argjentinas. "Martin Demikelis i Mançester Sitit është akuzuar për sjellje jo korrekte në lidhje me bastet. Mendohet se lojtari ka shkelur 12 herë normën E8 të 'FA'-së për ndeshje futbolli që janë luajtur mes 22 dhe 28 janarit 2016. Demikelis ka kohë deri në orën 17:00 të 5 prillit të 2016-ës për t'iu përgjigjur akuzave", thuhej në komunikatë.
Rregullorja
Federata angleze gjithmonë ka qenë e ashpër në të këtë aspekt dhe jo më kot në rregulloren e saj ka një pikë që nuk u lejon anëtarëve të saj të merren me të tilla aferash. "Të gjithë anëtarët e 'FA'-së, jo vetëm lojtarët, e kanë të ndaluar që të vendosin baste personalisht ose nëpërmjet palëve të tjera, mbi asnjë ndeshje futbolli kombëtare dhe ndërkombëtare. Veç të tjerash, anëtarët e Federatës së Futbollit e kanë të ndaluar rreptësisht që t'u japin informacion të rezervuar palëve të tjera me qëllim bastesh ose promovimi e kumarit", thuhet në rregullore.
Precedentët
Deri më tani, Federata angleze ka marrë masa të ndryshme për lojtarët që janë vërtetuar që kanë shkelur normën e lartpërmendur. Në 2013-ën, Andros Taunsend i Totenhemit u gjobit me 18 mijë sterlina dhe pezullim 4-mujor nga aktivitete sportive (masa iu reduktua në 1 muaj me kusht që të mos e përsëriste më). Një vit më vonë, Dan Gosling për këtë shkelje vetëm u gjobit me 30 mijë sterlina. Më keq e ka pësuar drejtuesi i Akrington Stenlit, Robert Hejs, i cili u pezullua për 21 muaj pasi kishte shkelur rregulloren në lidhje me bastet plot 735 herë. Verën e kaluar mesfushori i Ipsuiçit, Tedi Bishop, ia hodhi me një gjobë prej 3 mijë sterlinash.
Rastet
Mes 22 dhe 29 janarit të këtij viti, Martin Demikelis ka zbritur në fushë dy herë (kundër Uest Hemit dhe Evertonit). Federata e Futbollit nuk ka marrë asnjë sinjalizim që lojtari të ketë pasur sjellje të dyshimta në fushë. Ndërkohë gjatë kësaj jave thuhet se lojtari ka vendosur 12 baste të ndryshme.
Përgatiti: ALTIN VORPSI