Riberi: Koman pasardhësi im, frymëzoj Championsin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Frenk Riberi ndihet i rilindur pas kthimit nga dëmtimi dhe shpreson që ta mbyllë këtë edicion duke fituar titullin kampion dhe Championsin me Bajernin e Mynihut.
Për "Goal.com", ai ka folur mbi gjithçka, nga forma fizike, te largimi i Guardiolës dhe shanset për të triumfuar në Europë...
Si është gjendja juaj fizike?
Duke u përmirësuar me kalimin e ditëve. Fizikisht, ndihem 100%. Mund të jap gjithçka në fushën e lojës. Stërvitja ka qenë maksimale, por në ndeshje është krejt ndryshe. Gjithsesi besoj se tashmë mund të luaj për 90 minuta.
Keni pasur dyshime për t'u rikthyer sërish në formë maksimale?
Shumë njerëz nuk e kanë besuar. Pas nëntë muajsh pushim, të duhet kohë. Kam qenë shumë shpesh i mërzitur gjatë vitit të fundit dhe më mungonte fusha e lojës. Kur je i dëmtuar, mjaft herë stërvitesh vetëm. Nuk është situata më e mirë për një futbollist.
Sa e vështirë ka qenë që të kapnit nivelin që keni synuar?
Me të vërtetë shumë. Kam sakrifikuar çdo ditë, por motivohesha duke menduar për ditën që do rikthehesha në fushën e lojës. Jam munduar që të mendoj gjëra pozitive. Më në fund, po argëtohem sërish duke luajtur, ashtu siç dua unë.
Patët ndonjë moment kur menduat fundin e karrierës?
Unë nuk e kam humbur për asnjë moment interesin për futbollin. E gjithë jeta ime është e lidhur me këtë sport. Kam fituar shumë trofe në karrierë, por nuk është kjo çështja. Unë ndjek pasionin tim. Nuk e di se kur do ta mbyll karrierën, por të jeni të sigurt se nuk do ta bëj me llogari. Do luaj për sa kohë që trupi im të rezistojë. U riktheva dhe jam shumë i uritur.
Ju kishte munguar atmosfera e skuadrës?
Kur i ndjek ndeshjet nga shtëpia apo nga shkallët e stadiumit për një kohë të gjatë, fillon të mos ndihesh më pjesë e ekipit. Psikologjikisht është e vështirë. Nga njëra anë je i lumtur për skuadrën dhe tifozët, ndërsa nga ana tjetër i trishtuar. Ndërsa tani, unë mund të shkoj të fle gjumë shumë më i qetë.
Alaba ka rinovuar kontratën me Bajernin...
Jam shumë i lumtur për Davidin, familjen e tij dhe sigurisht për Bajernin e Mynihut. Ai ka një kohë të gjatë në klub dhe së bashku kemi fituar mjaft tituj. E kam njohur që kur ishte 16 vjeç, akoma pjesë e akademisë. Ka punuar me të vërtetë shumë për të arritur aty ku është sot. Pavarësisht moshës së re, ka një eksperiencë të madhe. Për mua, ai është mbrojtësi i majtë më i mirë në botë. Kënaqem shumë kur luaj me të, pasi kuptohemi shkëlqyeshëm.
Si e shikoni brezin e ri që po rritet?
Më pëlqen t'i ndihmoj talentet dhe t'u tregoj se çfarë duhet të bëjnë. Jeta është e vështirë gjithashtu. Në moshën 17 apo 18-vjeçare, Bajerni u jep lojtarëve mundësinë që të luajnë në kategorinë e tretë. Është një shans i madh. Unë nuk jam një person që dua respekt prej tyre për atë që kam arritur, apo për diferencën e moshës. Dua që të jem i barabartë me të gjithë. I jap respekt kujtdo, i vjetër apo i ri, futbollist i mirë, apo i dobët. Sapo një i ri arrin të bëhet pjesë e ekipit të parë, unë do jem shoku i tij i parë. Kështu ka ndodhur me Alabën dhe të tjerët. Po ndodh me Kingslin.
Koman ka deklaruar se dëshiron të jetë "Riberi i ri" në futboll...
Shpresoj që të bëhet. Bashkë flasim shumë frëngjisht. Kingsli nuk ka pasur një periudhë të lehtë deri tani. Nuk ka luajtur shumë në Paris apo te Juventusi. Kur erdhi te Bajerni, u karikua më tepër. Është i lirë në mendje dhe në futboll. Po bën një punë të madhe. Por ka potencial për t'u bërë akoma më i mirë. Në moshën 19-vjeçare, vetëm duhet të mësojë nga më të vjetrit dhe të fitojë prej tyre.
Sa të rëndësishëm janë futbollistët me eksperiencë?
Kur je në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të pjesës së parë dhe po humbet 0-2 me Juventusin, pyet veten: "Çfarë po ndodh?". Më pas, të nevojiten lojtarë karakteri si Filip Lahm, Tomas Myler, Ksabi Alonso apo edhe unë duke folur e motivuar. Në 45 minuta çdo gjë mund të ndodhë. Ka të bëjë vetëm me sulmin, sulmin dhe dëshirën për të provuar gjatë gjithë kohës. Një gol në "Allianz Arena" do mjaftonte për të pasur si mbështetje të gjithë tifozët e pranishëm. Dhe ajo që nuk duhet të harrojmë: ne arritëm t'i shënojmë katër gola Juventusit.
Si do ta prisni faktin që mund të qëndroni në stol?
Guardiola mund të bëjë rrotacion. Nuk mund të luash 40-45 ndeshje në të njëjtin nivel. Është e pamundur. Ne jemi në një fazë delikate të sezonit, me çerekfinalet e Champions-it, Bundesligën dhe gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe trajneri duhet të aktivizojë ata që janë në formën optimale. Unë jam 32 vjeç dhe normale që mund të kem luhatje. Jam qenie njerëzore dhe jo një makinë.
Sa i fiksuar është Guardiola te Champions-i?
Ai është me të vërtetë shumë i karikuar për ta fituar atë trofe. E ka ngritur Kupën e Gjermanisë dhe Bundesligën. Dëshiron të fitojë Champions-in dhe më pas të largohet i qetë drejt Mançester Sitit. Unë do jap frymëzim, ashtu si gjithë pjesa tjetër. Do t'ia dalim që të triumfojmë së bashku në Europë, nën drejtimin e Pepit.