Milani, ofertë për Kovaçiçin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vetëm një sezon më parë Milani provoi të siguronte shërbimet e Mateo Kovaçiçit nga Interi, një tratativë që shumë njerëz e përkthenin si një provokim karshi kushërinjve zikaltër.
Qysh në fillim u krijua përshtypja se kishte pak gjasa që marrëveshja të konkretizohej me transferimin e futbollistit kroat në anën tjetër të Milanos.
Kuqezinjtë ishin në kërkim të një futbollisti cilësor për të përforcuar repartin e mesfushës, por drejtuesit e Interit vendosën që të prisnin deri në fund të merkatos, ku më pas arritën që ta shisnin futbollistin te Reali i Madridit, i cili ofroi 29 milionë euro plus bonuset për të nënshkruar me kroatin. Sfumimi i pistës "Kovaçiç" e detyroi administratorin e Milanit, Adriano Galiani, që të blinte Juraji Kuçkën, i cili mbart karakteristika të ndryshme me ish-futbollistin e Interit.
Plani
Mirëpo, sot e përditshmja italiane "Il Corriere dello Sport" flet për një rikthim të kuqezinjve në tratativën për Kovaçiç. 23-vjeçari këtë sezon nuk ka arritur dot që të gjejë shumë hapësira, teksa shpresonte se situata e tij do të ndryshonte pas shkarkimit të Rafa Benitezit, trajneri që e kërkoi me vendosmëri në Spanjë, ku synonte ta transformonte si bashkëkombësi Luka Modriç në mesfushë.
Mirëpo, tentativa e Benitezit nuk ka rezultuar e suksesshme dhe as trajneri aktual i Realit, Zinedin Zidan, s'duket se e shikon me "sy të mirë" lojtarin. Kovaçiç pritet që të largohet në përfundim të këtij sezoni dhe Adriano Galiani po shfrytëzon miqësinë me presidentin e Realit, Florentino Perez, për ta afruar te "Djalli".
Sakaq, edhe Kovaçiç do të rikthehej me kënaqësi në Milano, por kësaj radhe në pjesën tjetër të qytetit që vesh ngjyrat kuqezi, për të treguar cilësitë e tij pas një sezoni zhgënjyes. Ish-lojtari i Dinamos së Zagrebit do të ishte shumë funksional për Milanin, i cili me ose pa Sinisha Mihajloviçin në stol është gati t'i prezantojë në javët e ardhshme një ofertë zyrtare Realit të Madridit. Huazim me detyrim blerjeje për 20 milionë euro plus 5 milionë bonus është shuma që do të ofrojë Milani për të siguruar shërbimet e Kovaçiçit. Ky i fundit përputhet më së miri me modulin 4-3-1-2 që i pëlqen shumë presidentit Silvio Berluskoni.
Përgatiti: LEAR MAÇI
