Teuta shtyn festen e Skenderbeut
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skënderbeu vazhdon i qetë drejt titullit kampion, edhe pse dje është mundur në Durrës nga Teuta. Ekipi korçar ka përfituar nga fakti që skuadra e Kukësit nuk ka fituar dhe është ndalur në barazim 1-1. Teuta ka arritur të marrë tri pikë mjaft të arta në rrugën që e mban ende në lojë për një vend në Evropë. Dy trajnerët kishin hedhur në fushën e lojës lojtarët më të mirë, pavarësisht mungesave. Ndeshja ishte vërtet spektakolare dhe emocionuese sepse po luanin dy ekipe që bëjnë futboll të bukur dhe të hapur.
Pjesa e parë
Ndeshja ishte shumë e kujdesshme dhe me pak raste në pjesën e parë, pasi dy ekipet nuk donin të pësonin. Skuadrat ishin hapur mjaft mirë në fushën e lojës dhe kërkonin të arrinin tek ekipet kundërshtare me anë të pasimeve. Trajnerët kërkonin kujdes, sepse më e rëndësishme ishte që kjo ndeshje të mos humbej, sesa të fitohej. Megjithatë, humbësi ishte Skënderbeu. Këta të fundit konfirmojnë edhe një herë momentin e vështirë që po kalojnë. U mendua se fitorja ndaj Besës do të ishte fitorja e kthesës, por ekipi bardhekuq pati sërish probleme dhe luhatje të ndjeshme. Për Skënderbeun duhet të vin mesi i pjesës së parë, që të provonin portën e Osmanit.
Pjesa e dytë
Teuta është gjithnjë më kërkuese dhe bën më shumë për të gjetur golin. Goli nuk vonoi shumë dhe 15 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, skuadra vendase dhe tifozët e pranishëm shpërthyen në festë sepse Samb e ndal topin në rrjetë. Mjaftoi ky gol, që ekipi i Teutës të ishte më i qetë dhe të kontrollonte më mirë ndeshjen. Teuta filloi të mbrohej më mirë, duke ia lënë radhën për të sulmuar ekipit të Skënderbeut. Në momentin më të mirë të ekipit korçar, Teuta shënon edhe golin e dytë. Akil Jakupi i gjetur i vetëm në zonën e Skënderbeut devijon një krosim mjaft të mirë duke dyfishuar rezultatin për ekipin e Teutës. Minutat e fundit zgjohet Skënderebeu, por është shumë vonë për të reaguar. Kampionët e vendit shënojnë vetëm golin e nderit me anë të kroatit Pero Pejiç. Josa nuk pranon gabimi “Nuk mund të them që kemi bërë një hap pas. Pjesën e parë ishim të ekuilibruar. Probleme kishim shumë për shkak të dëmtimit të Shkëmbit dhe pezullimit të Ribajt. Pjesën e dytë i lamë shumë terren Teutës sepse nuk i dhamë kohë mbrojtjes të dilte. Ne nuk duhet të shikojmë se çfarë bën Kukësi. Edhe Kukësi do vijë në Korçë me objektivat e tij por ne nuk duhet të pësojmë gola dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. Në sulm kisha vetëm dy zgjedhje, Pejiç dhe Tahirllari. Mungesa e Shkëmbit na penalizoi, por nuk luajti për të qenë i gatshëm kundër Kukësit”. Biturku falënderon lojtarët për fitore “Falënderoj skuadrën për shpirtin e garës. Të dyja pjesët e lojës i kemi kontrolluar por vazhdojmë të humbasim raste përpara portës. Jam i kënaqur për tre pikët dhe ajo që më bën optimist është fakti se skuadra prodhon lojë. Skënderbeu është me meritë aty ku është. Skuadra reagoi në mënyrën e duhur dhe falënderoj gjithashtu edhe tifozët që nuk na kanë braktisur”.