Teuta me 3 mungesa, Hodo: Sot rikthehemi te fitorja
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teuta ka lënë pas ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Kukësin dhe sot pret të bëjë kthesën ndaj Tërbunit. Seanca e djeshme është zhvilluar në stadiumin "Niko Dovana".
Trajneri Magani nuk do të ketë të gatshëm ndaj durrsakëve mesfushorët Musta, Çyrbja dhe Hyseni. Në klub konfirmojnë se të tre lojtarët kanë probleme shëndetësore.
Ndërkohë, sulmuesi Artur Magani pritet që të aktivizohet nga minuta e parë, ashtu si edhe kapiteni, që rikthehet titullar bashkë me mesfushorin Eri Lamçja. Për portën ka dilema, pasi Moçka mund t'ia lërë vendin Rizvanit, por gjithsesi kjo mbetet për t'u parë. Në seancën e fundit trajneri është marrë më shumë me aspektin taktik. Ai ka kërkuar vlerësim të kundërshtarit, që mbyll tabelën.
Për "Panorama Sport", kapiteni Bledar Hodo foli me optimizëm për një fitore ndaj pukjanëve.
"Skuadra është mirë fizikisht, edhe pse ka disa mungesa. Ajo që ka rëndësi është kthesa e ekipit pas humbjes në kupë, sfidë që është harruar tashmë dhe e gjithë vëmendja është kthyer te kampionati. Kemi përfunduar përgatitjet dhe mund të them që skuadra është mirë dhe ka marrë ngarkesat e duhura.
Ndaj Tërbunit është një sfidë që e kemi vlerë- suar shumë, pavarësisht renditjes së kundërshtarit. Tërbuni s'ka çfarë humbet dhe do pikë medoemos. Kjo na e bën edhe më të vështirë, por gjithsesi duhet të jemi të kujdesshëm që të kalojmë me sukses këtë sfidë. Vijmë pas një eliminimi dramatik në kupë dhe që duhet ta harrojmë sa më shpejt.
Do të kërkojmë vetëm fitoren, pasi kështu jemi të qetë për vazhdimësinë e kampionatit. Tashmë synimi ynë mbetet vendi i tretë, që të çon në Kupat e Europës. Jam i bindur që shumë shpejt do ta arrijmë", ka përfunduar mesfushori me eksperiencë i Teutës, i cili rikthehet si titullar në ndeshjen ndaj Tërbunit për kampionat.
Përgatiti: Jeton Rexhmati