e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cungu bën llogari: Më kënaq një pikë në Vlorë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cungu bën llogari: Më kënaq një pikë në Vlorë

Përballja e sotme me Flamurtarin është tepër e rëndësishme për kuqeblutë, që ndodhen vetëm dy pikë larg vlonjatëve.

cunguPër trajnerin e Vllaznisë, Armando Cungu, një pikë do të ishte me vlerë në Vlorë, pasi do të thoshte ruajtje të diferencës.

"Çdo ndeshje për ne është një sfidë mbijetese dhe shikohet si një finale. E tillë është edhe kjo që do të kemi sot ndaj Flamurtarit.

Të them të drejtën, edhe me një pikë do të isha shumë i kënaqur. Natyrisht, si në çdo takim do ta shkojmë për të marrë maksimumin e pikëve, por kjo nuk do të varet vetëm nga ajo që ne paraqesim në fushën e lojës, por edhe nga forca e kundërshtarit.

Po ashtu, edhe fati është një pjesë e suksesit, por kjo nuk është e thënë se gjithç- ka duhet të lihet në dorë të fatit. Ne duhet të bëjmë më të mirën në fushën e lojës dhe pastaj të kërkojmë edhe fatin. Megjithatë, gjithçka i mbetet fushës", ka thënë Cungu.

Problemet

Takimet në transfertë nuk kanë rezultuar pozitive për ekipin shkodran gjatë këtij kampionati. Vetëm një fitore dhe një barazim janë shumë pak për një skuadër që kërkon të jetë në pozita komode në klasifikim. Cungu shpreson që ekipi të korrigjohet dhe të sillet ndryshe edhe në ndeshjet jashtë fushe.

"Dihet tashmë që në takimet në transfertë kemi pasur probleme. Por mendoj se këtë herë ekipi duhet të paraqitet ndryshe. Të jetë shumë i kujdesshëm në veprimet mbrojtëse, gjithashtu i shpejtë dhe efikas në veprimet sulmuese. Megjithatë besoj se ekipi do të tregojë një tjetër fytyrë në krahasim me ndeshjen që luajtëm në Durrës", vijon trajneri.

Mungesat

Gjatë gjithë kësaj jave, Cungu nuk është ndjerë aspak komod në punën e tij për sa u përket lojtarëve që kanë pasur probleme shëndetësore. Në këtë takim me Flamurtarin, një mungesë tejet e rëndësishme është ajo e qendërmbrojtësit malazez, Stefan Cicmil. Megjithatë, për arsye virozash, edhe lojtarë të tjerë kanë munguar gjatë proceseve stërvitore.

"E sigurt është mungesa e Cicmilit me tre kartonë të verdhë. Megjithatë, gjatë kësaj jave kemi pasur edhe mungesa të tjera të lojtarëve që kanë pasur gjendje gripale. Deri nesër (sot) mund të them se nuk kemi përcaktuar asgjë për sa u përket atyre që do të aktivizojmë nga minuta e parë. Unë shpresoj që t'i kem të gjithë të gatshëm", ka deklaruar kreu i pankinës shkodrane.

Pankina

Cungu do të mungojë sërish në pankinën kuqeblu, teksa i duhet të shlyejë dënimin prej dy ndeshjesh nga Komisioni i Disiplinës. Për trajnerin, ky nuk duket se do të jetë shqetësim. "Nuk mendoj se do të ketë një ndikim mungesa ime në pankinë. Kolegët e mi e kanë mirë të qartë atë që do të kërkojnë nga skuadra, e po ashtu edhe lojtarët e dinë mirë atë që duhet të bëjnë".