e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tërbuni në ajër, Gjoni nuk është dorëzuar ende

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tërbuni në ajër, Gjoni nuk është dorëzuar ende

Tërbuni u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e radhës ndaj Teutës. Trajneri Viktor Gjoni e sheh si një mundësi për të marrë pikë në takimin në Durrës.

terbuni1"Tërbuni është përgatitur në maksimum për këtë përballje, me synimin e vetëm për të marrë një rezultat pozitiv", ka thënë fillimisht Gjoni gjatë një bisede për "Panorama Sport". Tërbuni i ka të gjithë lojtarët e gatshëm dhe trajneri shpreson te kthesa.

"Ne duhet t'i bëjmë llogaritë mirë, që të mos dalim pa pikë nga fusha e Durrësit. Do të luftojmë për fitoren, pasi mundësitë i kemi për të surprizuar Teutën. Duam të sjellim një optimizëm edhe te tifozëria pukjane, për t'i rikthyer në shkallët e stadiumit. Këtë herë nuk duhet të gabojmë, por të japim sinjale shprese.

Teutën e njohim dhe do të luajmë duke dhënë më të mirën tonë, pasi duam t'i largohemi vendit të fundit. Do të hedh në fushë lojtarët më të mirë që gjatë javës në stërvitje kanë treguar impenjim maksimal, pavarësisht se ata s'janë paguar ende. Unë i përgëzoj futbollistët që po vlerësojnë fanellën e Tërbunit në maksimum, duke respektuar kampionatin me bindjen se duhet të luajnë me dinjitet për të qëndruar në Superligë.

Jam i bindur se krerët e bashkisë do të bëjnë diçka për t'u siguruar financat. Sot shpresoj të kemi mbështetjen e tifozëve, pasi shumë pukjanë jetojnë në Durrës", është shprehur dje kreu i pankinës së Tërbunit.

Përgatiti: Ditmir Pema