E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Terim fton Januzajn te luaje per Turqine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Terim fton Januzajn te luaje per Turqine

Ndeshja miqësore e paralajmëruar për muajin maj ndërmjet Kosovës dhe Turqisë ende nuk është konfirmuar. Por, këto dy shtete tashmë janë futur në një "betejë" tjetër. Prej së enjtes, edhe Turqia kërkon të ketë në përfaqësuesen e saj yllin kosovar të Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, duke rritur në pesë numrin e shteteve që e duan 19-vjeçarin.

Ai po kërkohet edhe nga Belgjika ku ka lindur, Anglia ku po zhvillon karrierën dhe Kombëtarja shqiptare, ku në vitet e fundit janë bashkuar shqiptarë nga të gjitha trevat. Interesimin për Januzajn, të enjten, e ka konfirmuar vetë trajneri i Përfaqësueses së Turqisë, Fatih

Terim, që është edhe drejtor sportiv në Federatën turke. Terim konfirmon se oferta tashmë i është bërë Januzajt.

"Presidenti i Federatës së Turqisë, stafi dhe unë e kemi pyetur Januzajn të luajë për Turqinë. Babai i tij është turk, nëna kosovare. Edhe Shqipëria, Anglia, Kosova e Belgjika dëshirojnë që Januzaj ta përfaqësojë këto vende", ka thënë Terim në një emision të televizionit turk "NTC Spor", ku ishte mysafir.

Terim ka bërë të ditur se ai dhe stafi i Federatës turke e ndiejnë obligim t'i bëjnë ofertë mesfushorit të Manchester Unitedit. Sipas tij, e drejta për ta ftuar Januzajn i takon edhe Turqisë.

"Tash nëse ne nuk i ofrojmë rastin të luajë për ne, atëherë do të kritikohemi për shkak se kemi dështuar. Po punojmë drejt mundësisë që Januzaj të luajë për Turqinë. Mendoj që nëse Januzaj pranon të luajë për ne, atëherë është e drejtë që ne ta ftojmë të luajë për Turqinë", ka shtuar Terim.

Por, babai i Januzajt, Abedini në një intervistë të mëhershme për KTV-në, pati deklaruar se nuk ekziston një mundësi që djali i tij ta përfaqësojë Turqinë e disa shtete të tjera që janë përmendur. Ai po ashtu pati mohuar lidhjet e gjakut me këto shtete, duke thënë se është shqiptar nga Kosova.

Në të vërtetë, Kosova ka muaj që kërkon të krijojë kontakt me Januzajn, por nuk ia ka dalë. E ka ftuar edhe publikisht përmes medieve për ndeshjen e shkuar kundër Haitit, por nuk mori asnjë përgjigje. E zyrtarët e FFK-së, shpresojnë që Januzaj të luajë në ndeshjen me Turqinë si pjesë e Kosovës.