Tërbunin e kënaq barazimi ndaj Partizanit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tërbuni sot do të jetë përballë Partizanit në stadiumin "Ismail Xhemali" të Pukës. Ky takim është shumë i rëndësishëm për skuadrën pukjane, sfidë e cila zhvillohet para tifozërisë vendase. Tërbuni është i përfshirë në luftën për mbijetesë, kështu që vetëm pika bën punë ndaj kryeqytetasve.
Tërbuni ka treguar se është një skuadër që di ta respektoje kampionatin, me gjithë vështirësitë që ka. Trajneri Viktor Gjoni bashkë me lojtarët janë tepër optimistë dhe do hyjnë në fushën e lojës për ta fituar këtë sfidë me Partizanin, që ka një rëndësi të veçantë për të ardhmen e Tërbunit.
"Çdo ndeshje e jona ka lidhje me mbijetesën, kështu që duhet të luftojmë shumë për të gabuar sa më pak. Në këto pozita ku ndodhet Tërbuni kërkohet maksimumi në çdo takim, pasi vetëm kështu mund të shpëtojmë nga zbritja një kategori më poshtë. T
akimi ndaj Partizanit luhet për t'u fituar. Këtë gjë ua kam bërë të qartë edhe lojtarëve, pasi nuk mund të ecet më gjatë me rezultate negative. Gjithsesi, është fusha e lojës ajo që përcakton çdo gjë.
Ndaj Partizanit, luajmë në shtëpi dhe besoj se Tërbuni është i përgatitur në maksimum për të dhënë më të mirën. Lojtarët duhet të luajnë për veten e tyre, por edhe për mua si trajner dhe kapitenin Karakaçi, që jemi të pezulluar dhe takimin do ta ndjekim nga shkallët e stadiumit.
Pra, të gjithë duhet të japin më të mirën e tyre në fushë, në mënyrë që në fund të marrim një rezultat pozitiv. E mira ishte që unë dhe kapiteni të ishim pranë ekipit, por them se mosprania jonë nuk do të përbëjë problem për lojtarët, pasi ata janë të përgatitur dhe them se do ta përballojnë me sukses kundërshtarin.
Synimi ynë për sot është fitorja, por duke ditur se luajmë përballë Partizanit, edhe barazimi na kënaq. Megjithatë, ekipi do të futet në fushë me mentalitetin për të marrë fitore. Rezultati nuk varet vetëm nga këmbët tona, por edhe nga kundërshtari. Shpresoj të kemi fat kësaj radhe", u shpreh trajneri i Tërbunit, Viktor Gjoni.