e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lena karikon Teutën: Do të jetë ndeshje e bukur, marrim pikë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lena karikon Teutën: Do të jetë ndeshje e bukur, marrim pikë

Nijas Lena beson te pikët në kryeqytet. Mesfushori e ka të qartë se përballë kanë ekipin më të titulluar në vend, por duket se ky fakt e motivon më shumë që t'i bëjnë ballë.lena

Gjatë një deklarate të dhënë për "Panorama Sport", strugani i Teutës shfaqet tejet optimist për këtë duel, ndërsa e thotë me bindje se në Durrës nuk do të kthehen duarbosh. "Nesër (sot) luajmë me Tiranën e titujve të shumtë.

Por kjo s'do të thotë asgjë për ne. E respektojmë kundërshtarin, por nuk kemi pse t'i druhemi. Do bëjmë detyrën si gjithnjë, do futemi në fushë për të dhënë dhe marrim maksimumin. Pastaj optimizmi shtohet duke parë formën e ekipit, pasi kemi zhvilluar disa ndeshje të mira.

Rezultati ka munguar, por kam idenë që tani do të vijë edhe radha e pikëve. Nëse tregohemi të kujdesshëm dhe zbatojmë me përpikëri gjithçka kemi zhvilluar në seancat stërvitore, fundi do të jetë i lumtur për ne.

Nuk mund të dalim kurrsesi pa pikë nga kjo transfertë. Kundërshtari është një emër i madh në futbollin tonë, por që ne nuk merrmi fare me statistikat apo të shkuarën. Tirana është një skuadër shumë e fortë dhe me një grup të konsoliduar, por as ne nuk mbetemi pas.

Kemi pretendime të qarta në kampionat, ndaj humbja është e ndaluar. Futbolli dihet që i ka të tre rezultatet brenda, po misioni mbetet i pandryshuar. Duhet të jemi të përqendruar dhe të mos bëjmë të njëjtin gabim si me Tërbunin, nuk duhet të lëmë hapësira", tha fillimisht strugani.

Objektivi - Më tej ai thekson se futbolli i bukur nuk do të mungojë, pasi në fund të fundit ky sport luhet për të pranishmit. "Fakti që përballë kemi një kundërshtar të etur për pikë, na bën më të motivuar. Qëllimi është që të zhvillojmë edhe një lojë të bukur.

Për mua, rëndësi ka që të bëhet lojë e pastër dhe tifozët e pranishëm në stadium të kënaqen nga ai takim. Në fund të fundit, ky sport për ata luhet", shtoi mesfushori. Më tej, ai deklaroi se nuk po vinë për shëtitje në kryeqytet.

"Tirana, me mundësitë dhe organikën që ka, duhet të jetë dhe më lart. Ka një ekip të fortë, por ne do të bëjmë maksimumin tonë që të mos dalim pa pikë nga kryeqyteti", përfundoi Nijas Lena, lojtar i afruar këtë sezon te Teuta.

Durrsakët për këtë kampionat ende nuk e kanë mposhtur Tiranën. Në fazën e parë, takimi u mbyll me shifrat 2-0 për kryeqytetasit, ndërsa e dyta në barazim pa gola. Këtë herë "djemtë e detit" besojnë se është radha e tyre dhe një trepikësh në "Selman Stërmasi" këtë herë do të përkthehej edhe me vendin e tretë.