e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Probleme pa Bernard Berishën, korçarët ndryshojnë stil

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Probleme pa Bernard Berishën, korçarët ndryshojnë stil

Kur po hyjmë në mesin e fazës së tretë të kampionatit, bardhekuqtë ende nuk e kanë gjetur një zëvendësues real të Bernard Berishës. Për më tepër edhe afrimet e janarit nuk po japin rezultatin e pritur.berisha Largimi i Bernard Berishës shkaktoi një "gropë" të madhe në krahun e majtë të mesfushës, atje ku ende trajneri Josa nuk po gjen një lojtar që të marrë për dore ekipin sikundër bënte mesfushori kosovar.

Afrimi i Nafiut ka qenë mjaft i bujshëm për bardhekuqtë, që duket se kishin gjetur praktikisht një lojtar të denjë për të zëvendësuar Berishën, por shumë shpejt është vërtetuar e kundërta.

Pengesat kryesisht janë dy: së pari dhe më e rëndësishmja është fakti që Valmir Nafiu është federuar si i huaj, pasi nuk ka qenë i pajisur me pasaportën shqiptare, por me atë maqedonase dhe kjo e rrit akoma edhe më shumë numrin e të huajve në ekip, çka është një problem për Josën.

Ndërsa, së dyti, Nafiu ende nuk po jep atë çka pritet prej tij. Është një lojtar i shpejtë, teknik dhe me një kontroll të mirë topi, por duket se çalon në luftën një kundër një. Pikërisht një gjë e tillë i kërkohet lojtarit në çdo seancë stërvitore nga stafi teknik.

Nafiu duhet të jetë më i lirshëm dhe të hyjë në duel me kundërshtarin, pasi i mungon iniciativa e Berishës për këtë gjë. Kjo duket se e mban më shumë në stol lojtarin. Nga ana tjetër, si Progni edhe Latifi duket se po e bëjnë mirë detyrën e tyre, por janë dy lojtarë që luajnë më shumë në të djathtë dhe janë më të tërhequr se Berisha.

Kjo ka bërë që edhe trajneri bardhekuq të ndryshojë disi modulin e lojës duke kaluar praktikisht nga 4-2-3-1 në një 4-4-2 klasik, në mënyrë që ekipi të jetë më shumë rezultativ në mesin e fushës.

Renatinjo Braziliani duket se pak e nga pak po vjen në formën e tij të plotë dhe është duke treguar potencialin e tij. Me dy gola në dy ndeshje radhazi, duket se braziliani i sulmit bardhekuq ka vënë në presion të madh sulmin bardhekuq duke i dhënë të qarta sinjalet trajnerit Mirel Josa që do të jetë edhe ai në garë për një vend si titullar.

Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të mira që po bën Renatinjo, Josa sërish duket i vendosur që dyshja e sulmit akoma për disa kohë do të jetë e formuar nga Xhejms dhe Salihi, pasi të dy kanë treguar përshtatje të mirë me njëri-tjetrin.

Sigurisht një gjë e tillë mbetet një luks për trajnerin që gjithsesi si alternativë do të ketë një lojtar të aftë për të ndryshuar rrjedhën e takimit. Në ndeshjet ku është aktivizuar si zëvendësues, braziliani është përshtatur menjëherë në lojën e ekipit dhe në disa raste ka treguar freski në fushë dhe lojë të kënaqshme.

Angel Orue Paraguaiani mbetet "molla" e ndaluar e Skënderbeut. I ardhur në huazim në merkaton e janarit, futbollisti ende nuk ka debutuar këtë sezon në kampionat, madje as në Kupë kundër Vllaznisë, çka të bën të mendosh se është jashtë planeve të ekipit.

Për më tepër, në shumicën e ndeshjeve nuk ka qenë i grumbulluar as në stol, por është lënë jashtë 18-shes. Forma e Orues nuk është ende ajo që pritet dhe kilet e tepërta lojtari duket se po i heq ngadalë, aq sa kjo ka bërë që trajneri të mos e llogarisë asnjëherë si titullar.

Problemi kryesor është se trajneri bardhekuq e ka deklaruar që në fillim të fazës së dytë se nuk ka kohë për prova dhe eksperimente, ndërsa, nga ana tjetër, paraguaiani për të fituar një vend titullari duhet të lërë në stol "njëfarë" Salihi që kryeson listën e golashënuesve me një mesatare që të fut frikën. Kjo është situata që po e lë në stol blerjen e fundit të Skënderbeut, që duket se do të ketë fatin e Hristovit, duke u kthyer sërish në destinacionin fillestar.