Kartonët, Partizani luan me llogari në Pukë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani i trajnerit Andrea Agostineli do të jetë sot mysafir në Pukë për të luajtur ndeshjen e javës së 23-të me Tërbunin. Në letër duket sfidë e lehtë për të kuqtë, por praktika ka treguar se Partizani vuan ndaj skuadrave të vogla.
Edhe në ndeshjen e fazës së parë kryeqytetasit fituan me vështirësi në Pukë. Gjithsesi, trepikëshi ndaj Tërbunit konsiderohet detyrim për të besuarit e trajnerit Agostineli, pasi vetëm duke fituar ndeshjet një pas një mund të rivalizojnë me Skënderbeun për titullin kampion.
Për këtë takim, që nuk është e një vështirësie të lartë, stafi teknik i Partizanit pritet të bëjë disa llogari, që kanë lidhje me ndeshjen pasardhëse, pikërisht për derbin e kryeqytetit. Në radhët e "demave" gjenden katër futbollistë me nga dy kartonë të verdhë, të cilët në rast se ndëshkohen ndaj Tërbunit do të humbisnin direkt përballjen me Tiranën.
Duke ditur se organika është e plotë dhe alternativat ekzistojnë për çdo rol, me shumë gjasa lojtarët me dy të verdhë, Gëzim Krasniqi, Arbnor Fejzullahu, Filipe Gomes dhe Stevan Raçiç, pritet që ta nisin nga stoli takimin e sotëm.
Seanca e fundit- Gjatë mesditës së djeshme, Partizani u ka dhënë fund përgatitjeve për transfertën e Pukës. Seanca e fundit u zhvillua në kushte të vështira atmosferike, gjithsesi të kuqtë nuk u ndalën në zbatimin e programit të përpiluar nga stafi. Kapiteni Alban Hoxha dhe zv.kapiteni Idriz Batha nuk janë përgatitur dje me grupin.
Të dy lojtarët kanë qenë të pranishëm në stërvitje, por nuk u stërvitën, pasi po kalojnë një gjendje të lehtë gripale. Duke parë kushtet e këqija të motit, stafi vendosi që Hoxha dhe Batha të mos dilnin në fushë, por në fund së bashku me ekipin udhëtuan drejt Pukës.
Portieri dhe mesfushori janë gati për përballjen me Tërbunin. Seanca e djeshme u karakterizua nga disa ushtrime fizike dhe në fund u praktikuan disa skema taktike. Përgatitjet e djeshme treguan se te Partizani ka llogari kartonësh para derbit.
Nga ajo që u pa në fundin e seancës së djeshme u la të kuptohej se të kuqtë pritet të zbresin sot në stadiumin "Ismail Xhemali" me një formacion të kompozuar ndryshe nga herët e tjera. Hoxha në portë, në mbrojtje parashikohet Ibrahimi në të djathtë, Krasniqi dhe Atanda në qendër dhe Kalari në të majtë. Trashi, Daja dhe Bardhi ishin në mesfushë, por njëri nga këta i bie të jetë në balotazh me Bathën, që nuk u stërvit dje. Ndërsa fazën sulmuese trajneri Agostineli dje ia besoi treshes, Torasa-Vila-Sukaj