e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Klodian Duro: Nuk i japim asnjë shans Flamurtarit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klodian Duro: Nuk i japim asnjë shans Flamurtarit

Trajneri i Kukësit, Klodian Duro, i ka lënë pas polemikat që prodhoi ndeshja me Partizanin dhe tani gjithçka është fokusuar te Flamurtari.duro Në intervistën e dhënë për "Panorama Sport", trajneri Duro vlerëson Flamurtarin, ku thekson se nuk është më ai i herës së shkuar, por gjithsesi Kukësi ka punuar shumë dhe kërkon fitoren në shtëpi.

Duro pohoi se e respekton shumë kolegun e tij Ramadani dhe katër "ish"-ët dhe ata i shikon si një motiv për të arritur fitoren në "Zeqir Ymeri". Tekniku theksoi se Kukësi do të mundë edhe gjyqtarët në fushë dhe do arrijë me patjetër atje ku i takon, në Kupat e Europës.

Ndeshja kundër Partizanit kaloi, me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saj. Tani është radha e Flamurtarit...

Ndaj Partizanit dhamë shumë në fushë, por për shkaqe që të gjithë i kemi parë, ne dolëm duarbosh. Normalisht që nuk jam i kënaqur, pasi prisja ta konkretizonim me pikë, por si pasojë e gjykimit nuk i morëm dot. Por, nga ana tjetër, ne kemi punuar mirë dhe në fund do të arrijmë objektivin, vendin e tretë. Ndeshja me Partizanin na la shije të hidhur. Gjithsesi na mësoi se duhet të jemi të bashkuar dhe të luftojmë jo kundër 11 vetave, por më shumë. Sigurisht që vijmë me kokën lart dhe me moral të lartë në ndeshjen kundër Flamurtarit.

Pra, gjithçka që mësuat nga ajo ndeshje ju bën më të guximshëm përballë vlonjatëve?

Gjatë këtij muaji, kalendari na ka vënë përballë ndeshje të forta, ndër to me dy ekipet e kreut, Skënderbeun dhe Partizanin. Nuk kemi marrë rezultatet e duhura me këto dy skuadra, pasi ndodhitë kanë qenë fotokopje e njëra-tjetrës. Kemi kaluar në gjysmëfinale të Kupës, duke eliminuar një rival direkt për Europën. Kemi arritur të minimizojmë gabimet dhe nga kjo them që nuk do t'u japim shanse kundërshtarëve të na mposhtin. Pra, do të jemi më të fortë jo vetëm ndaj Flamurtarit, por deri në fund të sezonit.

Si e shikoni kundërshtarin?

Sfida përballë Flamurtarit do të jetë e fortë, pasi ata janë forcuar ndjeshëm në merkaton e dimrit dhe kanë bërë një ekip shumë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në kampionatin shqiptar. Të gjithë luajnë për pikë dhe për të arritur objektivat, por kjo na bën më të fortë, që të dalim me sukses nga ky takim. Përballë kemi një Flamurtar tjetër, më i kompletuar se ai i ndeshjes së parë, por ne do hyjmë në fushë për ta fituar edhe përballjen e radhës me vlonjatët.

Do të jeni përballë katër ish-lojtarëve të Kukësit, Hoxha, Halilaj, Lushtaku, Zeqiri. Si ju duket ky fakt?

Ruaj shumë respekt për të gjithë këta futbollistë, pasi më parë këta kanë bërë që Kukësi të ngjitej shumë lart dhe të bënte histori. Por ky fakt na motivon më shumë për të arritur objektivin tonë, fitoren, e cila duhet të arrihet duke mundur ish-beniaminët e tifozëve kuksianë. I tillë është futbolli, pasi transferimet e lojtarëve ndodhin shpesh.

Jeni 6 pikë larg Tiranës së vendit të tretë. E shikoni të arritshëm këtë pozicion që të dërgon në Europë në fund të sezonit?

Unë shikoj ekipin tim, Kukësin, dhe duke parë lojën e punën tonë jam më se i sigurt se në fund do jemi në vend të tretë. Ka shumë ndeshje deri në fund, do jetë rrugë e vështirë, por do ta kalojmë me sukses.

Po në lidhje me "ultimatumin" dhe dëshirën e presidentit për të fituar 4 ndeshje radhazi, çfarë mendoni?

Presidenti ka të drejtë që kërkon fitore në 4 sfidat e radhës. Realisht unë dua t'i fitoj të 14 sfidat e mbetura deri në fund, pasi një klub i madh si Kukësi moto ka vetëm rezultatet pozitive, për të arritur objektivat madhorë. Ekipi është i uritur për fitore dhe besoj se në fund të sezonit do të arrijmë objektivat tanë.