Tërbuni, Gjoni: Mposhtim Laçin dhe rikthejmë shpresën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Tërbunit, Viktor Gjoni, beson se ka ardhur momenti që skuadra e tij të fitojë. Në prag të ndeshjes së sotme ndaj Laçit në stadiumin "Ismail Xhemali", kreu i pankinës foli me optimizëm për "Panorama Sport", teksa, sipas tij, e vetmja alternativë mbetet fitorja.
"Ky është një takim shumë i rëndësishëm për ne. Mendoj se nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç fitores, aq më tepër që luajmë në shtëpi. Kemi nevojë për pikë, kështu që kjo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht nga lojtarët.
Unë kam besim se ata do të japin më të mirën për të arritur te fitorja. Kemi respekt maksimal për kundërshtarin, por unë sot pres të marrim tri pikët për tifozërinë dhe për pozitat ku ndodhemi. Një triumf ndaj Laçit do të na rihapte shpresat për mbijetesë", deklaroi dje trajneri i pukjanëve. Ndërkohë, edhe te lojtarët nuk mungon optimizmi.
Kapiteni Gerald Tushe shpreson te triumfi. "Nuk na lejohet asnjë gabim në këtë moment. I kemi mundësitë për t'ia dalë me sukses, pasi po kalojmë një gjendje të mirë. Ky takim nuk është i lehtë, por jemi të motivuar më shumë se kurrë dhe besoj se do të marrim tri pikë.
Kërkojmë nga tifozëria pukjane të na mbështesë dhe shpresojmë se nuk do t'i zhgënjejmë. Ne do të hyjmë në fushë me qëllimin e vetëm për të marrë tri pikë dhe për të kënaqur tifozët e zjarrtë të Tërbunit", ka thënë kapiteni Tushe.