Teori pa fund dhe kafe, ja si po e përgatit Daja ndeshjen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ilir Daja i ka idetë e qarta para derbit.
Edhe dje ka vijuar me teori, ndërsa me ndihmën e pamjeve filmime kanë ndjekur pjesën e dytë të ndeshjes me Teutën.
Është evidentuar edhe një herë shpërdorimi para porte, teksa çdo rast i humbur është komentuar nga stafit teknik, me shpresën që në vazhdim të ketë përmirësim. Gjithashtu, u konstatuan edhe gabimet në pasime, gjë që duhet shmangur në derbi.
Është pikërisht kjo "terapia" që po praktikon Daja, që çdo gabim që shihet në DVD, më pas ta zbatojnë në fushë për ta perfeksionuar. Edhe sot pritet që të vijohet me të njëjtin ritëm, por këtë herë teoria dhe analiza janë lënë për në mbrëmje, gjatë grumbullimit. Për të mbajtur grupin e bashkuar, është vendosur që kafenë e mëngjesit ta pinë së bashku.
Në orën 11:30, ekipi do të jetë i gjithi në "Selman Stërmasi". Orari i stërvitjes ka mbetur pezull. Moti mund të bëhet pengesë dhe ndoshta mund të ndryshojë axhendën. Nëse bie shi, atëherë seanca përmbyllëse do të kryhet në stadium rreth orës 14:00- 15:00, në të kundërt në "Skënder Halili" në 18:00.
Përgatitjet
Tirana në "karantinë" para derbit. Prej ditës së djeshme, dyerve të ambientit stërvitor i është vendosur dryni. Stafi teknik ka vendosur që 48 orët e fundit ta mbajë skuadrën larg syve të kureshtarëve.
Ilir Daja ka zgjedhur këtë praktikë për të mbajtur lojtarët sa më larg presionit dhe trysnisë që mund të krijohet nga tifozët. Sakaq, për mediat, ishte përcaktuar vetëm një çerekoresh, ndërsa më tej grupi u fut në "karantinë".
Grupi e ka nisur me disa ushtrime me topin dhe më pas është ndarë në dysh. Sulmi titullar ka punuar kundër mbrojtjes rezervë në një portë, ndërsa në anën tjetër mbrojtja titullare me sulmin rezervë. Manovra defensive dhe ofensive si dhe shumë goditje në portë.
U bënë dy vite pa fituar në derbi, ndaj te bardheblutë i kanë idetë e qarta. Tashmë kërkojnë trepikëshin e parë përballë rivalit të përjetshëm. Ndaj edhe stafi teknik u ka kërkuar lojtarëve shumë kujdes në prapavijë dhe efikasitet në sulm.
Rikuperimet
Elis Bakaj, Dorian Kërçiku dhe Erjon Vucaj vijojnë përgatitjet me grupin dhe me ngarkesë të plotë. Dy të parët, edhe pse po sforcohen, dhimbjet e lehta i kanë ende prezente. Por lajmi i mirë është që asnjëri nuk rrezikon dhe pritet që të jenë në kontingjentin e Dajës për Partizanin.