e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Te gjithe te pakenaqur per biletat

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Te gjithe te pakenaqur per biletat

FSHF nuk jep shifrat për sasinë e hedhur në treg, ndërsa fillojnë abuzimet me “tregun e zi”

Edhe sot, tifozët shqiptarë do të kënaqen duke parë një ndeshje vendimtare të kombëtares shqiptare të futbollit nga ekrani i televizorit, pasi prania në stadium për shumë prej tyre mbetet utopi. Edhe sot, si shpeshherë kur kuqezinjtë luajnë ndeshje ndaj ekipeve të njohura, apo sfida që mund të vendosin për ecurinë e mëtejshme të një edicioni, pengesa e tyre kryesore bëhen biletat, të cilat nuk përfundojnë në duart e tifozëve të thjeshtë, atyre që ndiejnë më shumë ngjyrat kuqezi. Tifozëve shqiptarë u ishte premtuar se “Elbasan Arena” i rindërtuar do të ishte shtëpia e re e tyre, ashtu siç do të ishte për djemtë e De Biazit. Por, në realitet, impianti është kthyer në shtëpinë e atyre fatlumëve që sigurojnë biletat me një proces aspak transparent shpërndarje të tyre, që lë shumë të pakënaqur.

Për dy ditë me radhë, që në orët e para të mëngjesit, tifozë të shumtë janë shfaqur në dy sportelet e caktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për shitjen e biletave të ndeshjes Shqipëri-Danimarkë. Por pjesa më e madhe e tyre janë kthyer duarbosh, pas përgjigjes se biletat ishin mbaruar, ndonëse sportelet qëndruan hapur për pak minuta. Nëse nga njëra anë, tifozët kërkonin më kot bileta, nga ana tjetër, FSHF deklaronte se ato ishin të gjitha të shitura, ndonëse tifozët në të vërtetë panë shumë pak prej tyre. Megjithatë, në mënyrë të çuditshme, rreth sporteleve filloi të shfaqej që gjatë ditës së djeshme “tregu i zi” që lulëzon si zakonisht në raste të tilla, me çmime që kalonin trefishin e vlerës fillestare të biletave.

Sa bileta janë nxjerrë në shitje për tifozët e thjeshtë për këtë sfidë apo për çdo ndeshje tjetër? Kjo është një pyetje që nuk gjen përgjigje në zyrat e FSHF-së. Institucioni që drejton futbollin shqiptar dhe që administron ndeshjet e kombëtares, vazhdon të mos e bëjë publik sistemin e shpërndarjes, ndonëse tifozët shqiptarë e meritojnë të dinë se në duart e kujt përfunduan 12600 biletat e “Elbasan Arena” për ndeshjen e sotme. UEFA dhe FIFA e kanë praktikë të deklarojnë sasinë e biletave që hedhin në shitje për ndeshjet që organizojnë, në mënyrë që tifozët e thjeshtë të dinë se sa kanë në dispozicion. Një shembull i tillë ndiqet edhe nga klubet më të njohura europiane, por nuk gjen zbatim në vendin tonë, ku shifrat e shitjes së biletave dhe përfitimeve të FSHF prej tyre mbeten zakonisht mister.

Në çdo ndeshje, FSHF u jep prioritet grupeve të organizuara që kërkojnë të blejnë bileta, duke u dorëzuar grupimeve të tifozëve sasi të mëdha biletash me të cilat ato plotësojnë kërkesat e anëtarësisë së tyre. Kjo do të thotë se për një ndeshje si kjo e sotmja, rreth 2-3 mijë bileta janë të rezervuara shumë kohë para se të prodhohen në shtypshkronja. Po t’i shtosh sasinë që u rezervohet stafit dhe lojtarëve të kombëtares, stafit të FSHF-së, figurave të sportit, klubeve shqiptare, institucioneve shtetërore apo edhe tifozëve udhëtues, numri i biletave që mbetet për tifozët e thjeshtë është realisht shumë më i vogël se ai i rezervuar. Ndaj edhe pakënaqësia e tifozëve që nuk gjejnë bileta në sportele apo shfaqja e “tregut të zi” është kthyer në një normalitet që përsëritet sa herë që luan kombëtarja shqiptare.

 

Ultrasit

Pakënaqësi edhe

në grupimin

“Tifozat Kuq e Zi”

Shumë prej anëtarëve të grupimit më të madh të tifozëve të kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë mbetur të pakënaqur nga shpërndarja e biletave që u janë bërë për sfidën Shqipëri-Danimarkë. Grupimi lajmëroi zyrtarisht anëtarët që më datë 29 shtator, se kapaciteti i stadiumit “Elbasan Arena” nuk ishte i njëjtë me atë të “Qemal Stafa” dhe si rrjedhojë e këtij ndryshimi, nuk do të mund t’i kënaqte të gjithë. “Kapaciteti i stadiumit të ri është reduktuar për rreth 5000 vende. Rrjedhimisht edhe numri i biletave për këtë ndeshje për TKZ-në, ka qenë më i kufizuar. Shumë prej anëtarëve tanë për fat të keq, kësaj radhe nuk kemi mundur t’ju sigurojmë biletë. Kjo ka ndodhur pa dëshirën tonë, por për shkak të mundësive të kufizuara dhe numrit të biletave që kishim në dispozicion”, shkruhej në lajmërimin e postuar rreth dy javë më parë në Facebook, duke paralajmëruar krizën e biletave. Reagimi i anëtarëve të TKZ ka qenë shumë i ashpër, pasi disa prej tyre janë përgjigjur të irrituar ndaj këtij lajmërimi, sepse kishin planifikuar të ishin të pranishëm në “Elbasan Arena”. Duket se përveç tifozëve të thjeshtë, FSFH ka penalizuar edhe grupimet e tifozëve, duke u dhënë një numër më të kufizuar biletash, edhe pse këta tifozë prej më shumë se 10 vitesh ndjekin në çdo ndeshje djemtë kuqezi dhe kanë ndezur stadiumet shqiptare dhe ato europiane, duke marrë edhe vlerësimet e ekipeve kundërshtare.

 

Çmimet e biletave për Shqipëri-Danimarkë

 

Tribuna    Çmimi /Lekë

A2, A3     10000

B3         10000

B2, B4     8000

A1, A4     8000

B1, B5     6000

E    3000

D, F 2000

G1, G3, C1, C3  1500

G2, C2     1000

Danezët

Rreth 300 tifozë danezë do të jenë të pranishëm sot në tribunat e “Elbasan Arena”. Shumë prej tyre kanë mbërritur që dje në vendin tonë, duke zgjedhur që të qëndrojnë në Tiranë, për të udhëtuar drejt Elbasanit vetëm në ditën e ndeshjes.