e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Sot perballe Danimarkes…Me zemer dhe mendje ne fushe

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sot perballe Danimarkes…Me zemer dhe mendje ne fushe

Shqipëria kërkon sot në “Elbasan Arena” konfirmimin e fitores në Portugali, për të shpresuar kualifikimin në Francë 2016. De Biazi: Luajmë gjithmonë për fitore

Morten Olsen: Jemi të ndërgjegjshëm që na pret një ndeshje shumë e vështirë përballë Shqipërisë. Mund të them që do të luajmë sikur përballë të kishim Anglinë apo çdo ekip tjetër të madh.

Udhëtimi i përfaqësueses sonë kombëtare drejt europianit “Francë 2016” kalon përmes Danimarkës. Shqiponjat kuqezi pas fitores me Portugalinë në gadishullin Iberik, ndeshja e parë e grupit I, kthehen në folenë e tyre për t’u ngjitur sot në teatrin e ri të futbollit shqiptar “Elbasan Arena”, ku përballë janë rivalët nordikë në një ndeshje që premton shumë dhe që është prova e djemve të De Biazit pas fitores në Portugali. “Shtëpia e re” e përfaqësueses shqiptare të futbollit dhe tifozeria e zjarrtë karakteristike e vendit tonë pritet të jenë shtyllat kryesore të një suksesi që do i jepte krah ëndrrës europiane, nga e cila shqiptarët nuk duan kurrsesi të zgjohen kaq herët. Vërshëllima e gjyqtarit hungarez, Viktor Kasai sot në orën 20:45 në “Elbasan Arena” do të mbyllë të gjitha diskutimet, do të ndalojë jetën e shqiptarëve për 90 minuta dhe do i hapë rrugë sfidës së kuqezinjve përballë historisë. Ushtria e De Biazit me mbështetjen e zjarrtë të tifozëve në shkallët e stadiumit dhe atyre jashtë saj, veç kundërshtarëve duhet të fitojë edhe përballë statistikave, të cilat favorizojnë Danimarkën.

De Biazi

Në tetë përballje me danezët, Shqipëria ka fituar vetëm 1 takim, barazuar 1 dhe humbur 6 sfida të tjera. Por, 11 500 biletat e shitura ende pa dalë mirë në treg janë tregues i qartë i pritshmërive të larta që tifozët kuqezi kanë karshi Kombëtares shqiptare dhe këtë e di fare mirë Xhani De Biazi, i cili theksoi se “ushtria” e ndërtuar prej tij do të futet në fushë vetëm për fitore, sikur të ishte një finale. “Jemi përgatitur mirë, duhet të jemi me këmbë në tokë nëse duam të arrijmë një rezultat pozitiv. I kam kërkuar skuadrës të japë maksimumin, sikur të ishte një finale. Tri pikët janë thelbësore dhe për këtë do të lëmë dhe zemrën në fushë”, – tha De Biazi, duke dhënë garancitë e duhura se skuadra është gati për t’u ndeshur me kundërshtarin e radhës. Ftesës së De Biazit për të dhënë maksimumin në fushë iu përgjigj pozitivisht kapiteni Lorik Cana, i cili duke folur në emër të skuadrës u shpreh se kuqezinjtë janë gati, të motivuar më shumë se kurrë për të fituar betejën e radhës. Atmosfera në “Elbasan Arena”, sipas Canës meriton një sukses me Danimarkën, për ta festuar në mënyrën më të mirë të mundshme përurimin e impiantit të ri. “Ju siguroj se të gjithë do japim maksimumin. Skuadra jonë ka dëshmuar se di të fitojë edhe përballë rivaleve më të mëdha se Danimarka, por sigurisht për këtë duhet të jemi të gjithë së bashku”, nënvizoi kapiteni i kuqezinjve, i cili sot përballë do të ketë një sulmues me eksperiencë si Nicklas Bendtner. 26-vjeçari i cili ka luajtur me skuadra si Arsenal e Juventus, pritet të jetë i vetëm në sulmin danez përballë mbrojtjes shqiptare, dhe mbi të gjitha Bendter pritet të jetë rreziku më i madh për gardianin e portës sonë, Ertrit Berisha. Portieri i Lacios duket në një formë mjaft të mirë dhe është nga të paktit e grumbulluar të De Biazit, që e ka të sigurt praninë në fushë.

Formacioni

Përpara Berishës pritet të jenë dyshja Lorik Cana e Mërgim Mavraj, ndërsa në krah pritet të luajnë Hysaj nga e djathta dhe Agolli nga e majta. Në mesfushë, Burim Kukeli pritet të marrë në dorë ndërtimin e sulmeve, i mbështetur nga dyshja Taulant Xhaka dhe Armir Abrashi, të cilët veç ndihmës që do i japin repartit të avancuar kanë dhe një detyrë tjetër, të ndihmojnë mbrojtjen përballë kundërsulmeve të mundshme. Në krahët e mesfushës pritet të jenë Andi Lila dhe Valdet Rama, ndërsa në sulm gati për të ‘kafshuar’ kundërshtarin e për të “bekuar” fitoren e shqiptarëve pritet të jetë Bala. Lojtari 23-vjeçar ka një detyrë mjaft të vështirë, të vijojë punën e nisur në Portugali, pasi nga këmbët e tij mori jetë fitorja në gadishullin iberik dhe njëkohësisht nisi ëndrra e shqiptarëve për një kualifikim të mundshëm në europianin “Franc 2016”. Sulmuesi i Slavias së Pragës, në ndryshim me ndeshjen me Portugalinë, do të gjejë një mbrojtje të sajuar, pasi Morten Oslen, tekniku i Danimarkës vjen në Shqipëri pa dy shtyllat e mbrojtjes, Ager dhe Kjaer, të cilët janë të dëmtuar. Gjithsesi, tekniku i përfaqësueses daneze për të mbuluar këtë boshllëk ka ngritur në këmbë një formacion më mbrojtës. Kështu Oslen do të rreshtojë skuadrën e tij me një formacion 4-4-1-1, ndryshe nga rreshtim i tij i zakonshëm 4-3-3 apo 4-5-1. Në portë do të jetë Shmeikel, në mbrojtje katërshja, Hansen, Okore, Bjelland dhe Jorgensen. Në mesfushë Kvist, Hojbjerg, Eriksen (një nga më të rrezikshmit e mesfushës kundërshtare), Krohn-Demili, ndërsa Braitvait do të jetë më i avancuar duke mbështetur sulmuesin e vetëm Bendtner. Djemtë e Morten Olsen nuk do të jenë të vetëm gjatë aventurës në Shqipëri. Dhjetëra tifozë danezë do të mbështesin skuadrën e tyre në “Elbasan Arena”. Ata kanë preferuar të shkelin në tokën shqiptare përpara mbërritjes së Kombëtares, duke zgjedhur disa nga lokalet e kryeqytetit për të kaluar orët në vendin tonë. Të veshur me fanellat e Kombëtares së tyre, ata nuk duken të ndrojtur në rrugët e kryeqytetit shqiptar, madje nuk ngurojnë të bëjnë edhe foto me kalimtarë të ndryshëm, duke kënduar e dëfryer së bashku me shqiptarët, çka dëshmon vullnet për t’i dhënë sfidës imazhin e një spektakli sportiv dhe jo një “lufte” me prapaskena jo pozitive për futbollin.

Për t’i dhënë edhe më shumë ngjyra kësaj sfide kanë menduar tifo-grupet nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat kanë garantuar prezencën e tyre. Duke filluar nga tifozët kryeqytetas të Tiranës, “Fanatics”, të Partizanit “Guerrilas”, e duke vijuar me “Ujqërit e Dëborës” në Korçë…po ashtu me tifo-grupet nga Kosova e Maqedonia, spektakli në shkallët e stadiumit pritet të jetë i garantuar dhe kjo urojmë të jetë një shtysë e mirë në fluturimin ëndërrimtar të shqiponjës kuqezi drejt europianit “Francë 2016”.