Tarashaj ftohet nga Zvicra, De Biazi e la jashtë sepse hezitoi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sulmuesi i Grasshoperit, kosovari Shani Tarashaj, do të ftohet nga trajneri i Përfaqësueses së Zvicrës, Vladimir Petkoviç, për ndeshjet miqësore të këtij muaji. Kështu ka njoftuar të premten e përditshmja zvicerane "Blick.ch".
Raportohet se Petkoviç gjatë javës së ardhshme do ta publikojë listën me emrat e lojtarëve për ndeshjet miqësore që Zvicra i luan kundër Irlandës (25 mars) dhe Bosnjë-Hercegovinës (29 mars).
"Në listën e Petkoviçit tashmë janë dy futbollistë të skuadrës së Grasshopperit, Shani Tarashaj dhe Filip Senderos. Petkoviç ka kohë që i ka përcjellë këta futbollistë dhe ka vendosur t'i ftojë për ndeshjet miqësore të këtij muaji", shkruan gazeta zvicerane, e cila insiston se me këtë ftesë si Tarashaj ashtu edhe Senderos do të futen në listën e zgjeruar për "Euro 2016".
"Nëse njëri prej tyre e bind Petkoviçin, atëherë gjasat janë të mëdha që ai të shkojë me ekipin në Francë". 21- vjeçari ka treguar një formë të mirë në kampionatin e Zvicrës, duke realizuar dhjetë gola në 23 paraqitje te Grasshoperi.
Ai, gjatë afatit kalimtar të janarit, firmosi kontratë për katër vjet e gjysmë me skuadrën angleze Everton, por u kthye te Grasshoperi në formë huazimi deri në fund të këtij edicioni. Tarashaj prej vitit 2014 ka qenë pjesë e ekipit U-21 të Zvicrës dhe ka realizuar pesë gola në tetë ndeshje të zhvilluara.
Sulmuesi kosovar gjithashtu ka luajtur edhe për gjeneratat e tjera të Zvicrës (U-15, U-16, U-17, U-18, U-19 dhe U-20). Ai, muaj më parë, është ftuar edhe nga Kombëtarja e Shqipërisë, por nuk ka pranuar. Pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës janë gjashtë futbollistë shqiptarë, të cilët rregullisht ftohen: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili e Pajtim Kasami. Por, shpejt mund të bëhen shtatë.