Bylisi, frikë vetëm nga gjykimi në Vlorë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bylisi luan sezonin në dy sfidat e fundit të fazës së tretë, teksa do të ketë përballë rivalët direktë për mbijetesë, siç janë Flamurtari dhe Vllaznia.
Të dielën, ballshiotët luajnë në transfertën e vështirë vlonjate, teksa në fazën e parë ia kanë dalë që t'i marrin një barazim 1 me 1 dhe dëshirojnë që ta përsërisin sërish një rezultat tjetër pozitiv.
Sigurisht që Zildzoviç po i karikon futbollistët që të luajnë vetëm për fitore, ashtu siç ka pohuar përpara çdo sfide, ndonëse në fund ia kanë arritur apo jo.
Edhe pse vijnë pas dy rezultateve zhgënjyese në dy ndeshjet paraardhëse, nuk pritet që ato të kenë ndikim në përballjen me kuqezinjtë e Vlorës, sepse ballshiotët e kanë të qartë që për të mbijetuar në Superiore duhet që së paku të marrësh pikët maksimale ndaj rivalëve direktë.
Pas vlonjatëve, ekipi i Bylisit do të presë në "Adush Muça" Vllazninë, ndaj në dy ndeshjet e fundit të kësaj faze ballshiotët duan që të marrin minimumi 4 pikë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të vijojnë të jenë në garë për qëndrimin.
Në sfidat e kaluara, drejtuesit mallakastriotë, si edhe vetë tekniku boshnjak Zildzoviç, kanë pasur pretendimet e tyre për gjykimin, ndaj në dy ndeshjet delikate dhe që vendosin shumë për fatet e skuadrës në Superiore, shpresojnë që gjykimi të jetë i një niveli të mirë dhe të mos tregohet tendencioz.
Ndërkohë, për sa u përket përgatitjeve, ato vijojnë me intensitet të lartë në kampin mallakastriot dhe për asnjë moment nuk e mendojnë rezultatin negativ ndaj Flamurtarit dhe Vllaznisë.