Smajli e Muzaka qetësojnë Tiranën, ka dilema për pykën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dritan Smajli dhe Gjergj Muzaka qetësojnë deri diku Tiranën. Mbrojtësi dhe mesfushori dje u janë rikthyer përgatitjeve, duke lënë pas krahëve problemet fizike. I pari, sikundër dihet, kishte dëmtuar kaviljen, ndërsa i dyti pat pësuar një goditje në ndeshjen e fundit me Flamurtarin.
Lezhjani ka kryer dje grafinë në këmbë dhe përgjigjja ka qenë tejet pozitive, pasi nuk ka asnjë problem të rëndë. Dhimbjet e lehta nuk do ta pengojnë që të jetë në fushë kundër ish-ekipit këtë të diel. Ndërsa për mesfushorin e linjës së djathtë nuk kishte vend për panik, paçka se shqetësimi ishte real.
Nga ana tjetër, të konfirmuar si mungesa janë Dorian Kërçiku dhe Olsi Teqja. Mbrojtësi i djathtë dhe mesfushori i qendrës edhe dje nuk janë stërvitur me grupin, teksa problemet në kavilje në muskujt e barkut do të detyrojnë trajnerin Ilir Daja që të "sajojë" 11- shen kundër Vllaznisë.
Kjo u pa edhe dje, teksa, veç përgatitjeve me ngarkesë të plotë, stafi teknik ideoi edhe formacionin. Dhe, në fakt, nuk pritej ndonjë surprizë e madhe, duke ditur edhe numrin e stërzgjatur të të padisponueshmëve. Veç dyshes së përmendur më lart, në listë janë Gentjan Muça, Elis Bakaj dhe Ervin Bulku.
Ky i fundit dje ka nisur vrapimet rreth fushës, por është thuajse e pamundur që të riaftësohet për javën e 26-të të Superiores. Sakaq, Aleks Uillian duhet të presë ende për të debutuar si bardheblu. Lojtari i afruar në janar ende nuk numëron asnjë minutë me Tiranën dhe pritet nga momenti në moment që edhe ai të veprojë si shoku i tij, Almeida, që prishi kontratën një muaj pas firmës.
Rreshtimi - Porta pa dyshim i mbetet Edvan Bakajt, ndërsa në mbrojtje pritet që të luhet ashtu si me vlonjatët. Pra, qendra me Karanin dhe Gërçaliun, ndërsa në krahë Smajli me Hoxhallarin. Para defensivës Malaj me Karabecin, ndërsa në mesfushë risia vjen me Enriko Papën.
Blerja e janarit pritet që ta nisë si titullar, ndërsa në krahun e djathtës i sigurt është Gjergj Muzaka. Dilemat janë vetëm për "pykën". Nuk dihet ende nëse do të luajë Gilman Lika si sulmues i parë, apo Masato Fukui. Kjo me gjasë do të vendoset sot, por një gjë është e qartë, që njeri prej të dyve do të pozicionohet në të majtë.