Talentet në Shqipëri, nuk këndon bretkosa në të thatë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga FARUK SEJDINI
Duke parë listën e lojtarëve të Kombëtares Shpresa nga Redi Jupi vë re faktin që ka shumë pak futbollistë që kanë dalë nga skuadrat shqiptare. Me të drejtë zgjedhjet e bëra nga jashtë vendit janë të duhurat, sepse në Shqipëri gjithçka thuajse është e shkatërruar.
Këtu te ne ka talent me bollëk, i cili zbehet dhe ndryshket nga mungesa e elementeve më të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Në Shqipëri shpiken akademi futbolli artificiale që janë akademi pa akademikë. Kur them akademikë, nuk e kam fjalën për persona, por për bazë materiale.
Ekipet e moshave në vendin tonë thjesht marrin lekë dhe nuk ka asnjë rregull. Ku ka përfunduar rregulli i FSHF-së, që një ekip i madh duhet të ketë disa ekipe zinxhirë pas tij dhe të ketë të paktën dy fusha? Këtu te ne përmendet vetëm stadiumi i Elbasanit dhe nga mëngjesi deri në darkë lakohet: i stadiumit, prej stadiumit, së stadiumit. Kështu nuk ka asnjë të ardhme për ekipet shqiptare.
Nuk mund të krijohen lojtarë në hapësirë sepse një shprehje e urtë popullore thotë: Nuk këndon bretkosa në të thatë! Si mund të ketë të ardhme për talentet shqiptarë, kur në një fushë stërviten katër ekipe njëkohësisht. Kompleksi "Dinamo" ishte për t'u marrë shembull dhe kishte gjithç- ka i duhet një ekipi futbolli, por është degraduar në një vend ku shiten birra, pica dhe ka ndonjë parking me lekë.
Partizani që tenton të dalë kampion është refugjat dhe bën stërvitje sa andej-këndej. Kemi talente me bollëk, por nuk do t'i arrijnë asnjëherë majat në këto kushte. Duhet të largohen menjëherë jashtë vendit, sepse edhe në kategorinë C do të gjejnë më shumë kushte sesa këtu.
Si mund të nxjerrim talente, ndërkohë që shkolla që nxjerr trajnerët në Shqipëri i kualifikon të gjithë. Të gjithë që shkojnë aty marrin licencën dhe nuk ka ngelur askush. Unë nuk them që s'kemi specialistë futbolli, por të paktën jo të gjithë janë të aftë dhe të përkryer për të mos hasur asnjë vështirësi.
Talenti po venitet dhe, në këtë mënyrë, s'jemi në rrugën e duhur. Nuk mund të krenohemi për lojtarë që dalin nga Bazeli, Viteshe dhe futbollistë të tjerë. Sigurisht ata janë tanët, por ku janë lojtarët nga Shkodra, Vlora dhe Kavaja? Jemi një minierë ari që mund të përfundojmë si hekur i ndryshkur...