Partizani sfidon Tiranën, kërkon Fukuin në merkaton e verës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani është i fokusuar në arritjen e objektivit madhor për këtë sezon, titullin kampion. Përpos kësaj beteje, që po zhvillohet me Skënderbeun, mësohet se drejtuesit kryeqytetas paralelisht po punojnë edhe për Partizanin e përfaqësimit në Europë, si dhe skuadrën e sezonit të ri.
Gjatë muajve të shkuar klubi ka bërë të mundur rinovimin e kontratave me lojtarët kryesorë të skuadrës dhe në janar u afruan disa elementë të rinj, por me perspektivë. Merkatoja e dimrit është mbyllur me disa pengje në kampin e kuq, pasi për disa nga lojtarët e dëshiruar nuk u arrit që të afroheshin.
Mes këtyre ishin edhe Masato Fukui i Tiranës dhe Bruno Telushi i Flamurtarit. Të dy lojtarët kanë qenë shumë pranë kalimit në janar, por pengesë u bënë kërkesat e klubeve ku ata luajnë, të cilët kërkonin t'i shkëmbenin me futbollistë të tjerë të Partizanit.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se Partizani nuk ka hequr dorë nga këta dy lojtarë, madje prej kohësh ka nisur puna për të gjetur rrugën e duhur që Fukui dhe Telushi të vishen të kuq. Japonezi është një pikë e dobët për stafin e kuq, prandaj Partizani do ta tentojë serish sapo të hapet merkato e verës.
Mesfushori me tipare sulmuese i Tiranës, së pari shikohet si një përforcim për Partizanin e Europës dhe më pas për sezonin e ri. Kapiteni i Flamurtarit njihet si lojtar me karakter të fortë, që ndëshkohet shpesh me kartonë.
Por ky fakt nuk përbën problem për drejtuesit e Partizanit, pasi nëse lojtari menaxhohet mirë, potenciali i tij do të dalë në pah më shumë sesa karakteri i fortë. Përveç Telushit dhe Fukuit, mësohet se Partizani synon edhe prurje të tjera në verë, ku prioritet mbetet gjetja e një sulmuesi "pykë", objektiv i cili nuk u realizua si duhet në dimër, ndonëse u afruan disa alternativa.
Pas përfundimit të sezonit, ku të gjithë shpresojnë ta mbyllin me fitimin e titullit, drejtuesit do të hyjnë në bisedime edhe me dyshen Filipe Gomes - Agustin Torasa, të cilët si fillim kanë nënshkruar për 6 muaj me "demat e kuq". Braziliani dhe sidomos argjentinasi Torasa kanë qenë prurjet më të spikatura të merkatos së dimrit të Partizanit. Prezenca në Kupat e Europës mund t'i grishë këta lojtarë që të mbeten të kuq