e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ish-interisti Orlando, asistencë për akademinë e Partizanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-interisti Orlando, asistencë për akademinë e Partizanit

Disa javë më parë, Partizanin e ka vizituar ish-lojtari i Interit Anxhelo Orlando, i cili prej disa vitesh ka ngritur një akademi futbolli në Nju Jork, "F.A. Euro".orlando-logo(Në foto: Marko Balsamo, Dritan Dervishi dhe Anxhelo Orlando)

Bashkë me Orlandon, ka qenë edhe drejtori ekzekutiv i akademisë, Marco Balsamo, të cilët kanë qenë të ftuar të presidentit Demi dhe drejtorit Dervishi.

Në një intervistë për "Panorama Sport", ish-interisti nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me akademinë e re të Partizanit. Njëkohësisht, ai foli me superlativa edhe për trajnerin e Partizanit, Andrea Agostineli dhe e Kombëtaren shqiptare të drejtuar nga Xhani De Biazi.

Mund ta dimë se cili është misioni i vizitës së Anxhelo Orlandos te Partizani?

Erdha të takoj si trajnerin, ashtu edhe drejtorin, që e njoh mjaft mirë. Kam njohje edhe me Paolo Tramexanin, pasi kemi qenë bashkë tek Interi. Por në të ardhmen mund të kemi një bashkëpunim me Partizanin, pasi jam drejtor i një akademie futbolli në Nju Jork. Nëse do të kemi mundësi, do të bashkëpunojmë. Pra, nuk jeni rastësisht.

Mund ta dimë se kush ju ka ftuar dhe për çfarë?

Më ka ftuar presidenti i klubit, pastaj drejtori Dervishi është miku im. Futbolli këtu është në rritje dhe presidenti me drejtorin duan titullin kampion. Objektivi i shoqërisë është titulli kampion. Pastaj është edhe projekti i akademisë që do të bëhet, ndaj ka mundësi që të punojmë dhe të bëjmë diçka bashkë. Futbolli është zhvilluar shumë dhe ka mjaft talente të rinj interesantë.

Partizani i është besuar trajnerit Andrea Agostineli. Si e shikoni këtë zgjedhje të bërë nga klubi në fillim të vitit?

Trajneri ka shumë eksperiencë. Ka drejtuar shumë skuadra në Itali, kryesisht në Serinë B. E njeh futbollin në mënyrë të përsosur. Partizani ka bërë një zgjedhje të mirë dhe ka sjellë diçka të re këtu në Shqipëri. Kam parë edhe Kombëtaren shqiptare që është rritur shumë. Po luan futboll të nivelit të lartë. De Biazi e Tramexani janë shumë të zotë dhe rezultatet po shihen.

Mendoni se Agostineli do ta ketë të vështirë të përshtatet me këtë realitet të ri, pasi vjen në një terren të panjohur?

Trajneri e ka eksperiencën dhe do t'u përshtatet situatave. Pastaj futbolli është fusha, si të jesh në SHBA si në Liban, njëri që di, di të bëjë stërvitje kudo. Pastaj është ambientimi me vendin dhe gjuhën, lojtarët, por Agostineli i ka të gjitha cilësitë që të përshtatet lehtësisht.

Meqë përmendët De Biazin. A është meritë e tij kualifikimi i Shqipërisë në "Euro 2016"?

Po, patjetër. Është normale. Shqipëria ka një staf me peshë, trajnerë me eksperiencë, që i kanë dhënë imazhin e tyre Kombëtares dhe i kanë dhënë respekt. Janë gjëra të mira për një shoqëri që kërkon të rritet.

Keni parë ndonjë ndeshje të Shqipërisë dhe nëse po, si ju është dukur skuadra e De Biazit?

Kam parë disa ndeshje. kam parë sesi luajnë, qëndrimin që kanë në fushë, shpirtin e tyre. Ndryshe nga vitet e shkuara, kanë një rritje të madhe. Unë jam një njeri i futbollit, që kam luajtur dhe stërvis, por shihet se Shqipëria ka një grup njerëzish që kanë dëshirë të arrijnë një objektiv.

Njihni ndonjë nga futbollistët kuqezinj?

Njoh Canën, kapitenin. Njoh lojtarin e Interit, Manajn, lojtarë të mirë, me rëndësi.

Mendoni se Shqipëria mund ta përballojë debutimin në "Euro 2016"?

Besoj se po. Ekipi ka bërë një punë të mirë deri këtu. Tani do jetë pak e vështirë se ka skuadra të forta, por besoj se do paraqiten mirë. Rezultati nuk mund të dihet, por Shqipëria do t'i luajë shanset e saj me të gjithë.