e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Takaj shkund Skënderbeun: Mos mendoni për rivalët

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Takaj shkund Skënderbeun: Mos mendoni për rivalët

Barazimi ndaj Bylisit në transfertë ishte një gabim që nuk duhet të ndodhë më. Me pak fjalë, ky ka qenë mesazhi që presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i ka dhënë skuadrës përpara sfidës me Laçin.takaj

Ditën e djeshme, numri një i kampionëve ka takuar nga afër stafin dhe lojtarët dhe u ka kërkuar të kthehen nga kjo transfertë me 3 pikët. Sipas tij, skuadra nuk duhet të shohë aspak atë që bëjnë kundërshtarët (duke iu referuar këtu derbit Partizani-Tirana), por të zbresë në fushë vetëm për të bërë më të mirën dhe të rikthehet te fitorja.

Skënderbeu do të luajë ditën e sotme ndaj Laçit, në një sfidë ku të dyja ekipet kërkojnë rikthimin te fitorja. Laçi vjen pas barazimit me Vllazninë, ndërsa Skënderbeu pas barazimit me Bylisin. Fjala e Takajt- Presidenti i korçarëve e konsideron ndeshjen në Laç shumë delikate dhe u kërkon futbollistëve të tij të bëjnë maksimumin në fushën e lojës.

"Duhet të luani të qetë dhe pa presionin e rezultatit në ndeshjen e nesërme. Nuk kemi pse mendoni aspak për rezultatet e kundërshtarëve tanë. Duhet të shikoni vetëm lojën tuaj. Pas barazimit në ndeshjen e kaluar, pres patjetër reagimin në ndeshjen e nesërme (sotme). Kundër Laçit kemi vuajtur gjithmonë, pasi është një ekip i fortë dhe luan futboll të mirë.

Këtë duhet të keni parasysh kur të futeni në fushë. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe pres të zhvilloni një sfidë pozitive për të marrë 3 pikët", u është drejtuar presidenti Takaj futbollistëve të Skënderbeut.

Josa motivon ekipin- Nga ana tjetër, ka qenë radha e trajnerit Mirel Josa që të motivojë djemtë, këtë herë nga fusha e lojës. Pasi ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore, Josa u ka dhënë fund përgatitjeve të ekipit. Me anë të ndeshjes brenda grupit, numri një i pankinës korçare ka shuar edhe kuriozitetin e formacionit që do të hedhë në fushë në ndeshjen e sotme.

Nuk ka më dilema. Josa pritet t'i besojë sërish rreshtimit 4- 4-2, një formacion klasik ky që trajneri po e përdor shumë kohët e fundit pas merkatos së janarit. Nga porta do ta nisë Orges Shehi, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen nga e djathta Vangjeli dhe në të majtë Arapi, me dyshen Radas-Osmani që do të formojnë qendrën e mbrojtjes së Skënderbeut në këtë takim.

Në mesin e fushës, Progni do të jetë nga krahu i djathtë, ndërsa Abazi duket se ka fituar balotazhin për krahun e majtë me Latifin, duke e detyruar këtë të fundit të ulet në stol. Në mesin e fushës duket se do të rikthehet edhe një herë dyshja Lilaj dhe Shkëmbi, i cili do të marrë kështu edhe shiritin e kapitenit pas një kohe të gjatë mungese.

Por nëse mund të ketë një ndryshim të minutës së fundit trajneri mund të zgjedhë edhe Orelesin për ta nisur nga minuta e parë takimin. Në sulm, Xhejms, që rikthehet si ish te Laçi për herë të parë, do të formojë dyshen e zakonshme me Salihin për të shqetësuar portën e kurbinasve.