Zyrtare: UEFA vendos në maj për Kosovën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Federata Kosovare e Futbollit ka marrë një lajm të mirë. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, UEFA ka bërë me dije se kërkesa e federatës së lartpërmendur do të merret në shqyrtim në kongresin e radhës.
"K-Day" - Tre maji i këtij viti mund të jetë një datë historike për futbollin në Kosovë. UEFA ka bërë me dije se në kongresin e saj të radhës që do të mbahet në Budapest mund të aprovojë kërkesën e Federatës Kosovare të Futbollit për të qenë anëtarja e 55-të e saj.
Ky do të ishte hapi i parë i madh i Kosovës në këtë drejtim. Në kohë për "Rusi 2018"- Nëse do të merrte miratimin e UEFA-s, atëherë Federata Kosovare e Futbollit do të ishte në kohë dhe nuk do të humbiste Eliminatoret e Botërorit që do të luhet në 2018-ën në Rusi.
Një "privilegj" të tillë kjo kombëtare do ta kishte nëse edhe FIFA do të pranonte që të anëtarësonte federatën në fjalë.
Rrjedhje te Shqipëria - Nëse Federata Kosovare e Futbollit do të anëtarësohej në FIFA dhe do të merrte miratimin për të qenë mes ekipeve pjesëmarrëseve për një vend në "Rusi 2018", atëherë të gjithë kosovarët e përfaqësueses tonë do të kenë mundësi të zgjedhin se cilin prej dy flamujve të mbrojnë gjatë kualifikuesve në fjalë. Nga ky vendim i UEFA-s rrezikon shumë edhe Zvicra. Siç dihet, në përfaqësuesen e kombëtares helvete militon një numër i madh lojtarësh me origjinë kosovare.